Ministri ukrainas: “Do të na duhen vite që t’i largojmë minat”

Ministri ukrainas i Punëve të Brendshme, Denis Monastirski ka theksuar se Ukrainës do t’i duhen vite që t’i largojë mjetet e pashpërthyera pas invazionit rus.

“Drejt Ukrainës janë shtënë numër i madh i granatave dhe minave, ndërsa një numër i madh prej tyre nuk kanë shpërthyer, kanë mbetur nën gërmadha dhe paraqesin kërcënim real. Do të duhen vite, e jo muaj që të çaktivizohen”, tha Monastirski.

Përveç mjeteve ruse të pashpërthyera, ushtria ukrainase ka vendosur edhe mina në ura, aeroporte dhe infrastrukturë tjetër kyçe që t’i pengojë rusët t’i shfrytëzojnë.
“Nuk do të mund t’i largojmë ato mina nga tërë territori, për këtë shkak kërkova ndihmë nga partnerët tanë dhe kolegët nga Bashkimi Evropian dhe nga SHBA-ja që të përgatitet një grup ekspertësh, të cilët do të çminojnë zonat e luftës dhe objektet e granatuara”, tha ministri ukrainas.