“Nga skena e Sanremos në qelinë e ftohtë të bu*rgut”, çfarë shkruajnë mediat italiane për Elsa Lilën


Pas arrestimit të këngëtares së njohur shqiptare në Itali, Elsa Lila, i menjëhershëm ka qenë reagimi i eksponentëve të ndryshëm të botës së artit dhe politikës, por edhe i mediave.
Mediat italiane i kanë dedikuar artikuj të ndryshëm Lilës, duke i përmendur të gjithë karrierën e saj të suksesshme.

Një nga mediat më të mëdha dhe të rëndësishme “La Repubblica” e cilëson Lilën si ‘mrekulli’ të muzikës shqiptare teksa përshkruan edhe pjesëmarrjen e saj në “Sanremo”. Në shkrim thuhet se dy këngët e saj nuk patën sukses por ndryshe nga ato ‘këngëtarja pati sukses në grupin e drogës’.

“Flokët e mbledhur bisht apo flokët e gjatë me të cilët pak vite më parë ajo zbriste shkallët e Aristonit i kanë lënë vend një kapuçi dhe një shamie për të mbuluar fytyrën ndërsa policia e shoqëron në godinën e Komisariatit. Elsa Lila, fëmija mrekulli e këngës shqiptare, e cila debutoi në festivalin e Sanremos në vitin 2003 dhe më pas u rikthye në të njëjtën skenë katër vite më vonë, u arrestua.

Me këngët e saj (Valeria dhe The Meaning of Life) ajo nuk pati shumë sukses. Në vend të kësaj, në organizatën kriminale të kapur dje nga Antimafia, këngëtarja kishte fituar një pozicion të respektueshëm. Ajo kujdesej për paratë dhe mbante llogaritë, librin në të cilin banda regjistronte marrëveshjet e bëra me shitjen e kokainës, hashashit dhe marihuanës. Elsa Lila ishte një lloj ‘këshilltareje’”,shkruan mes të tjerash media italiane.

“Il Fatto Quotidiano” përshkruan fillimin e karrierës së artistes në skenën italiane e deri në momentin e arrestimit, teksa e cilëson Elsën e 20 viteve më parë si të turpshme.
”A mund të zbresësh shkallët me taka?” Në vitin 2003, Pippo Baudo prezantoi kështu një Elsa Lila të re dhe të turpshme, një debutuese në Sanremo. Pothuajse 20 vite më vonë, këngëtarja italo-shqiptare u arrestua, në kuadër të një hetimi për trafikun e drogës në kryeqytet ku u përfshinë 9 persona…– nis artikullin media italiane, teksa vijon me detaje nga operacioni.

Në një artikull dedikuar artistes shqiptare, “Corriere della sera” shkruan në titull: “Droga, shëmbëlltyra e Elsa Lilës: nga këngëtare në Sanremo te kontabilistja e grupit të drogës “Diabolikët””
Që në hyrje të shkrimit prestigjiozja italiane përmend fjalët e Elsës që i thoshte anëtarëve të bandës sipas përgjimeve “Duhet të kesh miqësi me dikë nga aparati shtetëror. Kjo është zgjidhja… E di që nuk ke besim, por një lidhje në shtet është e dobishme… si në Shqipëri… sepse të shpëton, çfarëdo qoftë qeveria, duhet ta kesh edhe atje”.

“Nga “këngëtarja më e famshme e shekullit në Shqipëri” në vitin 1999 në dy pjesëmarrje në Sanremo (2003 dhe 2007) deri te arrestimi… Dyzet e një vjeçe, me origjinë nga Tirana, vajzë e dy muzikantëve të njohur, studente në Romë, yll i popit është tashmë në burg…”-shkruhet mes të tjerash në shkrim ku më pas jepen detaje rreth arrestimit dhe përgjimeve.

Kujtojmë se Elsa Lila, e cila në shtetin fqinj u bë e njohur 20 vite më parë pas pjesëmarrjes në Sanremo, përfundoi në pranga e akuzuar për trafikim droge dhe anëtare e një grupi të strukturuar kriminal.