Turqia është pozicionuar me shumë kujdes për të qenë ndërmjetësi me Rusinë dhe Ukrainën – dhe kjo duket se po shpërblehet, raporton të premten BBC.
Të enjten pasdite, presidenti rus Vladimir Putin i telefonoi presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe i tha se cilat ishin kërkesat e sakta të Rusisë për një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Brenda gjysmë ore pas përfundimit të telefonatës, BBC intervistoi këshilltarin dhe zëdhënësin kryesor të Erdoganit, Ibrahim Kalin. Kalin ishte pjesë e grupit të vogël të zyrtarëve që kishin dëgjuar thirrjen.
Kërkesat ruse ndahen në dy kategori.
Katër kërkesat e para, sipas Kalin, nuk janë shumë të vështira për t’u përmbushur nga Ukraina.
Kryesorja midis tyre është pranimi nga Ukraina se ajo duhet të jetë neutrale dhe nuk duhet të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n. Këtë e ka pranuar tashmë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ka edhe kërkesa të tjera në këtë kategori, të cilat më së shumti duken si elemente që t’ia shpëtojnë fytyrën palës ruse.
Ukraina do të duhej t’i nënshtrohej një procesi çarmatimi për të siguruar që ajo të mos ishte një kërcënim për Rusinë. Do të duhej të kishte mbrojtje për gjuhën ruse në Ukrainë. Dhe ka diçka që quhet ‘denazifikimi’.
Kjo është thellësisht fyese për Zelenskyn, i cili është vetë hebre dhe disa nga të afërmit e të cilit vdiqën në Holokaust, por pala turke beson se do të jetë mjaft e lehtë që Zelensky ta pranojë. Ndoshta do të mjaftojë që Ukraina të dënojë të gjitha format e neo-nazizmit dhe të premtojë se do t’i shtypë ato.
Kategoria e dytë është ajo ku qëndron vështirësia dhe në telefonatën e tij, Putin tha se do të duheshin negociata ballë për ballë mes tij dhe Zelenskyt përpara se të arrihet marrëveshja për këto pika. Zelensky ka thënë tashmë se është i përgatitur të takojë presidentin rus dhe të negociojë me të një me një.
Kalin ishte shumë më pak specifik në lidhje me këto çështje, duke thënë thjesht se ato përfshinin statusin e Donbasit, në Ukrainën lindore, pjesë të të cilit tashmë janë shkëputur nga Ukraina dhe kanë theksuar statusin e tyre.