Mijëra fëmijë ukrainas të rrezikuar nga trafikimi i bandave kriminale


Ndër njerëzit më të rrezikuar në Ukrainë pas shpërthimit të luftës janë rreth 200 000 fëmijë në jetimoret dhe shtëpitë e kujdesit të Ukrainës.

Alarmi është dhënë nga Jeremy Locke, një veteran i ushtrisë amerikane që po ndihmon në organizimin e kalimit të sigurt për këta fëmijë, i cili thotë se lufta dhe nxitimi për të evakuuar fëmijët nga konflikti, paraqet një mundësi për bandat kriminale.

Në një intervistë për BBC, ai tha se ka shumë konfuzion në atë që po ndodh tani në Ukrainë.

“Kishte një dëshirë të njerëzve që vinin, donin të bënin mirë dhe të nxitonin t’i nxirrnin këta fëmijë dhe këta jetimë përtej kufijve ndërkombëtarë… Duke bërë këtë, mund të krijojnë mjedisin dhe mundësinë e trafikimit”.

Locke thotë se Ministria e Politikës Sociale e Ukrainës vlerëson se 10 000 fëmijë nga jetimoret dhe shtëpitë kujdestare janë ende të pagjetur.

“Ka ende mijëra nga këta jetimë që janë në rrezik. Dhe ndërsa trupat ruse lëvizin, kjo i bën shumë prej tyre të jenë në rrezik. Kështu që është një skenë që ndryshon vazhdimisht ndaj së cilës ne duhet të jemi shumë reagues”.

Locke thotë se grupi i tij, deri më tani, ka ndihmuar në transportin dhe mbrojtjen e 403 jetimëve, megjithëse ai pret që ky numër të rritet.