AUV gjatë vitit të kaluar ka konfiskuar rreth 700 mijë kilogramë produkte, Thaçi: “Kemi mungesë inspektorësh që kontrollojnë tregjet e Kosovës”


Policia e Kosovës gjatë ditës së martë ka arrestuar dy persona, me ç’rast ka sekuestruar më shumë se 36 mijë kilogramë mish gjatë një kontrolli në Zahaq të Pejës.
Sipas policisë një biznes dyshohej se përpunonte mish dhe produkte të mishit me afat të skaduar dhe me origjinë nga Brazili, Italia dhe Polonia.

Në lidhje me këtë temë, ka folur Lamir Thaçi zëvendës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Në një prononcim për Telegrafin tha se vetëm vitin e kaluar janë asgjësuar rreth 700 mijë kilogramë produkte të cilat nuk ishin i plotësonin kriteret ligjore për konsum nga qytetarët.

“Është punë e jona ditore që kudo që ka raste të bizneseve të cilat i shkelin normat ligjore për tregtim të produkteve të cilat nuk i respektojnë kriteret ligjore. Gjithmonë ne veprojmë pa e kursyer askënd dhe produktet i asgjësojmë. Vetëm vitin e kaluar janë rreth 700 mijë kilogramë produkte të asgjësuara të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret për konsum”, tha ai.

Sipas Thaçit në kuadër të këtyre produkteve të konfiskuara prijnë produktet sanitare dhe fito sanitare, duke mos përjashtuar këtu edhe produktet e mishit të shtazëve dhe ato me origjinë bimore.

“Ne ndër vite kemi pasur produkte të cilat janë asgjësuar, këto produkte janë me origjinë bimore dhe me origjinë shtazore. Kjo nuk varet nga ana jonë, kjo varet nga problemet që mund të lindin në terren në vite të caktuara kemi që kanë priur produktet me origjinë bimore, kurse vite të tjera lloje të ndryshme të produkteve me origjinë shtazore.Vitin e kaluar ka pasur produkte të asgjësuara, ku kanë prirur produktet të konfiskuara nga kontrolli sanitar dhe fito sanitar. Por ka pasur edhe produkte me origjinë shtazore. Te kontrolli sanitar dhe fito sanitar, hyjnë produktet si konditoria, pijet dhe të tjera. Këto ishin në sasi më të mëdha”, deklaroi Thaçi.

Lamir Thaçi- zëvendës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë
Thaçi po ashtu, theksoi faktin se në momentin që inspektorët hasin në ndonjë biznes që produktet e tij janë pa origjinë, ai biznes do të mbyllet. Ai gjithashtu shtoi se ka biznese të cilat edhe nuk janë hapur më pas mbylljes.

“Në secilin rast ku haste një produkt pa origjinë do të thotë që nuk ka dokumentacionin që dëshmon për origjinën e produktit hapi i parë është largimi nga tregu apo bllokimi i tij. Pastaj ndodhë asgjësimi dhe në të njëjtën kohë inspektori e mbyllë biznesin, varësisht nga inspektimi se çfarë shkeljesh hasin. Mbylljet e bizneseve janë gjithmonë të përkohshme. Por afati i tyre kohorë përcaktohet në bazë të kohës dhe dinamikës së ushqimit dhe kushteve që i bënë vetë operatori i biznesit dhe pas ri-inspektimit dhe verifikimit të kushteve që janë të vendosura nga ana e inspektorit atëherë bëhet rihapja e tij. Po ashtu ka operatorë që nuk janë hapur asnjëherë. Por ka të tjerë të cilët i kanë përmirësuar të gjitha kushtet e caktuara, atëherë është bërë edhe rihapja e atij operatori”, theksoi ai.

Gjatë bisedës Thaçi tha se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka mungesë të inspektorëve për të monitoruar kontrollin e ushqimit në tregjet e Kosovës.

“Ne deri në shtator kemi qenë në numër shumë të pakët të inspektorëve. Kur në shtator janë transferua inspektorët komunal dhe në këta tre muaj ne jemi munduar që t’i fusim në planet tona, të kontrollit dhe të monstrimit, po ashtu t’i mësojmë me dinamikën e punës tonë. Kanë qenë 75, kurse tash disa prej tyre veçse kanë hequr dorë nuk kanë pranuar të vijnë në agjenci dhe janë kthyer në komuna. Kurse në të gjitha pikat kufitare kemi inspektorë ”, përfundoi ai.

Nuk janë të pakta rastet kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së bashku me policinë, në Kosovë konfiskon dhe asgjëson ushqim që nuk i përmbushë kriteret për konsum nga qytetarët. Në vitin 2021 ishte arrestuar një pronar i një qebaptoreje në Fushë Kosovë, për faktin se në qebaptoren e tij ishin konfiskuar rreth 200 kilogramë mish, pa dokumente ligjore.
VIDEO