Ndalimi i eksportit të produkteve bazë, si gruri, misri, luledielli, elbi, mielli, vaji i gatimit nga vendet fqinje dhe më gjerë, nga të cilat është e varur ekonomia e vendit mund të kanosë me rrezikun nga përballja me mungesën e produkteve ushqimore bazë.
Me iniciativën e Ministrisë së Bujqësisë, u zhvillua një takim online me ministrat dhe përfaqësuesit e Ministrive të Bujqësisë të Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Republikës Sërpska dhe Kosovës, ku u diskutua për zhvillimet në Ukrainë dhe ndikimin në sektorin e bujqësisë, situatën me mbarëvajtjen e tregut dhe furnizimin me ushqime. Edhe pse zyrtarët theksojnë se eksporti i dakorduar për Maqedoninë e Veriut dhe fqinjët e tjerë të Serbisë do të bëhet sipas planeve, megjithatë, paralajmërimi për ndalimin e eksportit të miellit, grurit, misrit dhe vajit nga sot shkakton shqetësim, por edhe disa informacione se tashmë janë ndaluar eksportet e produkteve të caktuara, si nafta.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka thënë se eksportet e grurit dhe miellit janë rritur ndjeshëm, duke shkaktuar ndalimin e eksporteve, duke theksuar se Serbia do të ketë mjaftueshëm për vete dhe për rajonin. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë siguron se furnizimi me produkte bazë nga Serbia nuk pritet të ndërpritet.
“Konkluzioni i përbashkët i takimit të ministrave është se qytetarët e Maqedonisë së Veriut, si dhe qytetarët e rajonit nuk duhet të shqetësohen. Ne theksuam se bashkëpunimi rajonal duhet të vazhdojë dhe se qeveritë duhet të përmbahen nga vendosja e masave të njëanshme të çdo lloji. Ministrat nga rajoni e përshëndetën iniciativën dhe u pajtuan që bashkëpunimi mes vendeve të rajonit të jetë efikas dhe funksional dhe qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë të qetë sepse së bashku punojmë për të ruajtur furnizimin stabil me ushqime”, tha ministri Nikollovski.
Sipas tij vendi furnizohet me sasi të mjaftueshme ushqimore dhe ka bërë thirrje që të mbahen të hapura kanalet e komunikimit ndërmjet vendeve tona dhe ministrive rajonale për nevojat e produkteve primare bujqësore dhe të përpunuara ushqimore dhe rezervave inpute për prodhimtarinë bujqësore, dhe në të njëjtën kohë në nivel rajonal të shkëmbehen informacione për burimet e mundshme për import dhe të ndërmarrë veprimet e duhura për përmbushjen e këtyre nevojave në mënyrë dypalëshe ose shumëpalëshe.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi ditët e fundit ka theksuar se vendi ka një nivel të kënaqshëm të rezervave të produkteve ushqimore dhe derivateve të naftës në rezervat mallrash dhe nuk ka vend për panik tek qytetarët. Ai ka theksuar se gjatë kësaj periudhe nuk ka nevojë për vënien në funksion të rezervave, duke qenë se prodhuesit e këtyre produkteve bazë kanë rezerva për një periudhë mbi 35 ditë. Kohët e fundit pati tone qetësuese nga ana e autoriteteve për karburantet, por vetëm pak ditë më vonë çmimet u rritën në mënyrë drastike dhe në pikat e karburanteve pati mungesë karburantesh, gjë që krijoi nervozizëm dhe stres te qytetarët.
A mund të ndodhë diçka e ngjashme para tregjeve ushqimore në të ardhmen?! Një ditë më parë u publikua lajmi se Ukraina do të ndalonte edhe eksportet e thekës, elbit, hikërrorit, melit, sheqerit, kripës dhe mishit deri në fund të vitit. Njoftimet e tilla, por edhe përplasjet ushtarake në Ukrainë, të cilat nuk dihet se kur do të përfundojnë, sipas ekspertëve të sektorit të bujqësisë, janë shqetësuese. Pasi që edhe nëse nuk do të përballemi me mungesa të theksuara në treg të drithërave, ekziston rreziku që të kemi rritje të çmimeve.
“Nuk pres që të ketë mungesë të disa produkteve, por çmimet janë rritur tani dhe do të rriten edhe në të ardhmen. Tregu, apo tregtarët që kanë ofruar produkte të tilla deri më tani, do të gjejnë mënyrën për të importuar sërish, për të furnizuar veten. Është e mundur të pakësohet oferta e produkteve të caktuara, por nuk besoj se do të zhduket plotësisht. Fatkeqësisht, ne nuk prodhojmë lëndë të parë bazë për vaj ushqimor, nuk kultivojmë luledielli, e gjitha është e importuar. Edhe pse funksioni i bujqësisë është të sigurojë ushqim për nevojat e brendshme, ajo nuk përdoret në maksimum. Masat duhet të synojnë stimulimin e prodhimit dhe nuk e kam fjalën vetëm për subvencionet. Shpresoj që këto zhvillime të jenë një shenjë për t’i kushtuar më shumë vëmendje prodhimit vendas, për të zbatuar dispozitat e strategjisë që kemi, sigurisht që do të kemi prodhim më të madh dhe rezultate më të mira”, shprehet profesori i Fakultetit të Shkencave agrare dhe ushqimit Dragi Dimitrievski.