Zbulohet lokacioni: Në këtë pjesë të Prishtinës do të vendoset shtatorja e Adem Jasharit


Lokacioni i shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari, do të vendoset mes asaj të figurës kombëtare shqiptare Skendërbeut dhe ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Kështu ka konfirmuar për emisionin ‘Ju Flet Prishtina’ në Klan Kosova, Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së në Komunën e Prishtinës, teksa ka njoftuar se ka mbajtur një takim me kreun e Prishtinës, Përparim Ramën, për këtë çështje.

“Ne si grup i PDK-së në Kuvendin Komunal, bashkërisht me LDK-së dhe nënkryetaren e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, kemi takuar z. Përparim Ramën ku kemi kërkuar inicimin e një grupi punues dhe të gjitha procedurave të tjera, në mënyrë që sa më shpejt të përmbyllet procesi për ndërtimin e shtatores së Adem Jasharit dhe kjo shtatore të vendoset në kryeqytet”, deklaron ai.

“…Ndërsa tash e tutje është me rëndësi që të formohet një grup punues që do të administrojë të gjitha fazat e punimit. Duhet të mbahet një linjë buxhetore për këtë çështje”, ka thënë më tej Ratkoceri.
Këtë lokacion e kishte kërkuar edhe familja Jashari, në emër të së cilës, Bekim Jashari ia kishte kërkuar ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.