Anëtari i Kishës Ortodokse Maqedonase, mitropoliti Agatangell kërkon që VMRO-DPMNE-ja ta bojkotojë referendumin për çështjen e emrit. Me një letër të hapur drejtuar liderit të kësaj partie, Hristijan Mickoski ai shkruan se momentalisht nevojitet qetësi, inteligjencë dhe vendosmëri, duke theksuar “Më i forti mund të na e merr lirinë, por jo edhe dinjitetin”
Letra e Mitropolitit Agatangell – drejtuar kreut të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski
“Qëndroni edhe ju në anën e drejtë dhe hapur para gjithë botës dhe gjithë opinionit maqedonas bëni thirrje për bojkot të referendumit të imponuar, që po përgatitet ta hedh në erë Maqedoninë dhe popullin maqedonas në një të ardhme të afërt. Vetëm në këtë mënyrë do të tregoni se rrënjët tuaja janë mbjellë në parimet e VMRO-së së lavdishme. Gjithmonë mbani në mend se VMRO-ja nuk është e mbyllur në ndonjë ndërtesë dhe e qëndisur me statute dhe programe. VMRO-ja është shpirti i popullit maqedonas, respektivisht shkëndija që ndez aspiratat e popullit për një luftë të sinqertë kundër padrejtësisë”.
Nga VMRO DPMNE-ja nuk komentojnë letrën e Agatangellit. Ndërsa zëdhënësi i Kishës OrtodokseMaqedonase, Timotej tha për Alsat se qëndrimi i Agatangellit nuk paraqet qëndrimin e Kishës.
Ky është qëndrim personal i mitropolitit Agatangell dhe askush nuk mund t’ia ndalojë të mendojë si të dëshirojë. Letra e mitropolitit Agatangell në asnjë rast nuk mund të jetë qëndrimi i Kishës. Kisha nuk duhet të përzihet në politikë dhe njerëzit e shenjtë nuk duhet të merren me politikë. Gjithsesi ky është mendimi i tij personal – deklaroi Mitropoliti Timotej, Zëdhënës i KOM.
Sociologu, Gjorgji Tonovski vlerëson se letra dërguar VMRO-së është keqpërdorim i statusit në KOM.
Personalisht mendoj se kjo letër është keqpërdorim i pozitës sociale, respektivisht statusit që Agatangell e ka në hierarkinë kishtare dhe në aspekt me opinionin maqedonas dhe keqpërdorim i dioqezës së tij. Letra më shumë ngjan se është shkruar nga ndonjë anëtar i partisë VMRO DPMNE sesa i një vëzhguesi të shqetësuar neutral i proceseve që ndodhin momentalisht në shoqërinë maqedonase – tha Gjorgji Tonovski, Sociolog.
Nuk është hera e parë që Agatangell shpreh qëndrime politike. Ai disa herë ka kundërshtuar ndryshimin e emrit kushtetues, madje edhe duke marrë pjesë në protestat që organizoheshin kundër bisedimeve për emrin.