“Mësuesi im i parë ka qenë një njeri i poshtër”


Salih KABASHI-

“Katërdhjetë fëmijë të Zallçit, Prekallës, Gjurakovcit, Kovragës, Muzhevinave, Llukavcit të Begut, Llugave e Tomocit ishim në klasë të parë. Mësuesi kishte gjithmonë gojën me pështymë. Gojë e mbushur me dhëmbë të nxirë, disa të rënë, disa të veshur me argjend e ndonjë tjetër me ar.
Ende ia dëgjoj urdhërin e frikshëm: Shtrije dorën!

Të gjithë ne, të trembur e me drithma, i shtrinim duart me shuplakat përpjetë. Ai me thuprën që mbante me vete, si i tërbuar, radhaz, fuqishëm e fytyrëprishur godiste fuqishëm duart tona të njoma e të pafajshme.
Na rrihte mësuesi ynë sepse mendonte se dikush e kishte prishë rreshtin, se kishte guxuar të fliste zëshëm në koridor, se në klasë dikush kishte shtyrë tjetrin. Mësuesi i ndëshkonte të gjithë e pa dallim…Na rrihte sidomos kur ai hynte në klasë, ndërsa ne nuk ishim ngritur rrufeshëm e me sytë drejtuar në foton e Mareshalit Tito varur mbi dërrasë të zezë. Dhe nuk kishim brohoritur fuqishëm e njëzëshëm ashtu siç na kishte mësuar ai qysh në ditën e parë të shkollës:

«Për Atdhe me Titon përpara!»
Na rrihte pamëshirshëm. Nga goditjet e thuprës së tij na krijoheshin këpuja gishtave e shuplakave të duarve. Disave edhe iu shpërthente gjak.
Mizoritë e atij mësuesi mbi ne vocërrakët zgjatën një vit të tërë. Rrahjen me thupër mësuesi ynë i tmerrshëm nganjëherë e kombinonte edhe me shpulla, shkulje të pamëshirshme të veshëve e të flokëve.
Një vit të tërë me frikë e me të dridhura prisnim orët torturuese me mësuesin e tërbuar, për të cilin më vonë morëm vesh se ai nuk kishte pas mbaruar më shumë se katër klasë të fillores në Jugosllavinë e Krajlit. Kuptohet, serbisht!

Drejtori i shkollës ishte Dragutini, Drashku, kolonist malazez. Mësuesi ynë i parë dhe drejtori ynë kishin pas qenë pobratima mes vete. Domethënë ishin të vëllazëruar. Katërfish pobratima. Drejtori kishte edhe tre vëllezër, tre vëllezër kishte edhe mësuesi ynë. Pas një vit a dy, tre vëllezërit e tij kishin pi gjak me tre vëllezërit e drejtorit.

Në Podgur, Podrime, Drenicë e Rekë, të dy palët përmendeshin si shembuj vëllazërim-bashkimi serbo-shqiptar…
Po, mësuesi im i klasës së parë ishte njeri i poshtër. Nuk ishte mësues, ishte katil!
Ka pasë edhe të tjerë mësues katila dhe mësues të poshtër.
PS
Në shkollë të Gjurakovcit, për mua, sa isha nxënës aty, mësuesi më i mirë, më punëtori e më i dashuri, ka qenë Remzi Shala nga Peja, vëlla i Bajram Shalës, mësues i vjetër në Pejë. Remzi Shala ka përfunduar karrierën e shkëlqyeshme të pedagogut në rolin e profesorit të gjuhës shqipe në Prizren”.