Policia jep detaje për vrasjen e 22-vjeçarit në Bresalc të Gjilanit


Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka dhënë detaje rreth vrasjes në fshatin Bresalc të Gjilanit, ku Liridon Uruqi e vrau me armë zjarri shokun e tij, Fatlind Arifin, 22-vjeçar.

Në veturën e të dyshuarit, policia ka gjetur edhe një revole me të cilën dyshohet se u krye akti me pesë fishekë.

Sipas policisë është arrestuar i dyshuari kryesorë bashkë me vëllanë e tij.

Por nga policia thonë se në bazë të deklaratave të të dyshuarit, “aksidentalisht ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull K/Shqiptar”.

Viktima është dërguar në spitalin e Gjilanit, me ç’rast nga personeli mjekësor është konstatuar se i njëjti nuk ka shenja jete.

“Si i dyshuar është arrestuar edhe vëllai i të dyshuarit, pasi që dyshohet se i ka ndihmuar kryesit të veprës që të arratiset nga vendi i ngjarjes”, thuhet në raportin e policisë.

Si prova materiale janë sekuestruar një automjet dhe një pistoletë me 5 fishekë.

Me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.