Serbët e veriut të Kosovës u bëjnë thirrje Rusisë e Ukrainës të bashkohen kundër Perëndimit


Konflikti Rusi-Ukrainë i ka mbledhur në sheshin e Mitrovicës së Veriut nja 15 qytetarë serbë.
Ata nuk kanë dalë në përkrahje të njërës apo palës tjetër të përfshirë në konflikt, por u bëjnë thirrje të dy vendeve, Rusisë dhe Ukrainës, të gjejnë një “një zgjidhje të përbashkët” dhe “të bashkohen kundër Perëndimit”.
Nebojsha Joviq, i cili së fundi është emëruar kryekomisar i Komisionit të Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, ka thënë për media se sot kanë dalë si qytetarë dhe se ky nuk është tubim politik.

Ai pretendon se ai dhe disa qytetarë që u mblodhën sot nuk mund të qëndronin mënjanë, duke parë ngjarjet në Ukrainë dhe “duke parë persekutimin e popullit rus jashtë Rusisë”.
Joviq e ndau fjalimin e tij në tre mesazhe – mbështetje për rusët, një thirrje për rusët dhe ukrainasit për t’u bashkuar dhe një thirrje për Perëndimin që, siç thotë ai, të ndalojë persekutimin e popullit rus jashtë Rusisë.

“Sot ne po përcjellim një mesazh mbështetjeje për popullin rus – vëllezërit tanë rusë, ju nuk jeni vetëm, ne jemi me ju dhe do të jemi me ju. Ne po u themi atyre se serbët e Kosovës e duan popullin e tyre vëlla rus”, tha Joviq, raporton Kossev.
Pesëmbëdhjetë qytetarë janë mbledhur sot në qendër të qytetit.

Joviq ka thënë se shumë qytetarë me të cilët ka biseduar ditët e kaluara kanë përkrahur tubimin e sotëm, por edhe se “ka frikë në popull” dhe se disa “me të drejtë” mungojnë.
Ai tha se dëshira e tyre është që lufta të ndalet sa më parë.
Joviq u dërgoi një mesazh tjetër ukrainasve – ai i fton ata të bashkohen me rusët.

“Dhe këta janë njëlloj vëllezërit tanë dhe ne i lutemi e u bëjmë thirrje – vëllezër, bashkohuni me vëllezërit tuaj – rusët, hiqni qafe nazistët ukrainas, sepse në momentin që i neutralizoni, ai moment vjen paqja. Ne lutemi që bashkimi ruso-ukrainas të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur, që nazistët të neutralizohen, eliminohen dhe që paqja të kthehet në shtëpitë e Ukrainës dhe Rusisë”, tha ai.