Pensionistët do të marrin pension më të lartë për 900 denarë, ndërsa do të marrin edhe 1000 denarë shtesë në muajt prill, maj dhe qershor si ndihmë financiare për ballafaqim me krizën energjetike dhe ekonomike. Kjo gjë u arrit pasi Qeveria e pranoi propozimin e Shoqatës së Pensionistëve ku u vendos metodologji e re e rritjes së pensioneve. Kjo metodologji bazohet në të ashtuquajturën formulë zviceriane që nënkupton rritje të vazhdueshme të pensioneve varësisht nga rritja e pagës minimale dhe rritja e kostos së jetesës.
Dimitar Kovaçevski, Kryeministër
“Për 330 mijë pensionistë do të kemi metodologji të re, të cilën ata e pranuan, e cila në të ardhmen nuk do të varet nga vullneti politik i askujt ëa i përket rritjes së vazhdueshme të pensioneve. Kjo nënkupton se pensionet do të rriten edhe me rritjen e shpenzimeve të jetesës edhe me rritjen e pagës mesatare.”
Drejtori i fondit pensional invalidor, Dritan Bexheti nëpërmjet profilit të tij në rrjetin social Facebook tha se është me rëndësi që kjo është një zgjidhje sistematike dhe bashkë me të nuk do të rritet shkalla e kontributeve të pensioneve.
Dritan bexheti, drejtor i fondit pensional invalidor
“Kështu, pensioni mesatar në vitin 2022, krahasuar me vitin e kaluar, do të jetë më i lartë duke marrë parasysh koston e jetesës dhe rritjen e pagës mesatare në vendin tonë.Me rëndësi është që kjo është një zgjidhje sistematike dhe bashkë me të nuk do të ketë rritje të shkallës për kontributet e pensioneve.”
Pensionistët shprehen të kënaqur me këtë vendim.
ILIJA NIKOLLOVSKI, KREU PARTISË SË PENSIONISTËVE
“Me ndryshimin e metodologjisë është treguar kujdes ndaj parimit se pensionet janë kategori ekonomike dhe jo sociale dhe ky parim I harmonizimit të pensioneve është një prej metodave më të favorshme në Evropë.”
Nga qeveria këtë e cilësojnë si një rritje rekorde të pensioneve, duke nënvizuar se pensioni mesatar deri në fund të vitit pritet të jetë mbi 17 mijë denarë, në krahasim me fundvitin e kaluar kur mesatarja ishte mbi 15 mijë denarë. /SHENJA/