Qytetarët nuk duhet të frikësohen dhe t’i nënshtrohen panikut, për shkak se afaristët, por edhe qeveria do të sigurojnë mjaftueshëm grurë dhe miell, dhe do të gjejnë mënyrë për të mbrojtur popullatën, thonë nga Grupacioni i Mullisëve dhe Furrtarëve pranë Odës ekonomike të Maqedonisë.
Sipas numrit një të saj, Goran Malishiq, rezervat e biznesit janë 30 deri 45 ditë, mirëpo kompanitë çdo herë janë në gjendje të furnizohen me sasi shtesë për nevojat e popullatës dhe industrisë.
“Po apeloj ndaj qytetarëve që të mos bëjnë panik lidhur me rritjen e çmimit të bukës, për shkak se kostoja e rritur për blerjen e bukës për një familje në nivel mujor është më e vogla në raport me rritjen e çmimeve si harxhimi për energjense, rrymë, cigare dhe prodhime të tjera që dukshëm janë shtrenjtuar në muajin e fundit”, thekson Malishiq.
Sipas tij, çmimi i grurit për korrjen e ardhshme do të formohet në bazë të kushteve të tregut dhe lëvizjes së ofertës dhe kërkesës në shtetet e rajonit në kohën e grumbullimit të rendimentit, apo në Serbi, Bullgari, Rumani, Kroaci dhe Hungari prej nga më së shpeshti edhe blihet gruri. Malishiq apelon deri tek Qeveria dhe Ministria e Bujqësisë që të sjellin masa shtesë stimuluese për bujqit dhe përpunuesit që të mbjellin në sezonin e radhës, të gjithë hapësirat bujqësore që nuk punohen.
Njëherësh kërkohet edhe të intervenohet me subvencione shtesë për fermerët në raport me plehrat e azotit dhe të fosforit, që janë të domosdoshme për cilësinë e grurit dhe rendimente solide të tij.
Nga ana tjetër një pjesë e kompanive kanë rritur çmimin e bukës për tre deri pesë denarë për të kompensuar humbjet e shkaktuara nga shtrenjtimi i rrymës, gazit dhe lëndëve të para.
Të mërkurën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq informoi se me kërkesë të Maqedonisë së Veriut do të dërgohen 50 mijë tonë grurë dhe 25 mijë tonë misër. Duke shtuar se Serbia ka mjaftueshëm grurë për miellin tip 500 dhe se për momentin nuk do të kufizojnë eksportin. Mirëpo në rast nevoje do të kufizohet eksporti për 20 për qind i misrit dhe grurit.
Në ndërkohë, lidhur me dyshimet që ka shprehur VMRO DPMNE-ja opozitare se sa shteti ka mjaftueshëm grurë dhe misër, për nivelin e rezervave të shtetit me grurë dhe për nevojën e importit të grurit nga Serbia në këto moment, ministri i bujqësisë Ljupço Nikollovski thotë se në mullinjtë vendor ka rezerva prej 45 mijë tonë grurë të mjaftueshme për tregun vendor deri në korrjen e radhës, ndërsa shton se dy vendet kanë komunikim të vazhdueshëm për të gjitha prodhimet bujqësore që eksportohen dhe importohen ndërmjet dy shteteve.
“Sasitë e përmendura janë në planet vjetore të kompanive që planifikohen të importohen deri në sezonin e korrjeve me qëllim që si çdo vjet të mbulohen nevojat e tregut vendor dhe punës së mullisëve dhe furrave të bukës dhe subjekteve të tjera, dhe jo për nevojat e shtetit apo për rezervat e shtetit”, thotë ministri Nikollovski.
Ndryshe, në periudhën 2007-2018, shteti importon në mesatare afër 110 mijë tonë grurë merkantil apo tregtar dhe miell që paraqet një të tretën e nevojave të industrisë së miellit. Totali i nevojave për grurë i Industrisë së miellit dhe furrtarëve për prodhimin e bukës dhe parorive të bardha në vit është afër 300 mijë tonë apo afër 25 mijë tonë në muaj, tregojnë analizat e Odës ekonomike të Maqedonisë. (koha.mk)