E frikësuar dhe duke u fshehur Pauline Volovik tregon përjetimet e ditës së sotme në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh në Ukrainë që Rusia tentoi ta pushtojë sot. Ajo tha se ndjehen të kërcënuar për jetën e tyre, por theksoi se ikja nga vendi është opsioni i fundit për të.
“Definitivisht nuk ndjehem e sigurtë në situatën e tanishme, sepse në çdo moment shtëpitë tona mund të goditen dhe askush në qytet nuk është i sigurte. Ne po mundohemi ta mbrojmë veten me forcat tona si dhe duke ndjekur udhëzimet e forcave të armatosura duke qëndruar sa më të ftohtë që është e mundur”, rrëfen Volovik.
Pauline gjithashtu rrëfeu për ne se është e vështirë për ta të sigurojnë ushqim dhe mjetet tjera për jetesë pasi që dalja rrugëve është tejet e rrezikshme, megjithatë detyrohen për shkak të nevojave personale edhe të dalin.
“Ne dalim jashtë vetëm gjatë ditës dhe nëse dëgjojmë sirena dhe alarme nga forcat e ar*matosura ne mundohemi të kthehemi në shtëpi ose të fshihemi në strehimore”, tregon më tej ajo.
Ndryshe, Kharkiv, me një popullsi prej rreth 1.4 milion njerëz, ndodhet më pak se 32 kilometra në jug të kufirit rus forcat ruse u afruan menjëherë pasi pushtimi filloi të enjten. E për këtë shkak edhe stresi dhe paniku tek qytetarët është më i madh tha Volovik.