Sekretari i NATO-s: “Ky invazion është planifikuar për një kohë të gjatë “

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se invazioni rus në Ukrainë është duke u bërë masivisht, teksa një gjë e tillë nuk ka qenë e papritur.
Ai ka thënë për CNN se shteti ukrainas është duke u su*lmuar nga forcat ajrore dhe ato tokësore, teksa invazioni është duke shkuar drejt rrethimit të kryeqytetit ukrainas, Kievit.

“Çfarë ne po shohim është një invazion masiv, i plotë dhe i shpejtë i Ukrainës. Kjo nuk është diçka befasuese. Ata dëshirojnë të ndryshojnë qeverinë demokratike të Ukrainës. Të gjitha këto bashkë e bëjnë këtë invazion më seriozin që është parë ndër dekada”, ka thënë Stoltenberg.

Ai gjithashtu ka shtuar se rusët janë duke marrë nën kontroll çdo herë e më shumë territorin ukrainas.
I pyetur se çfarë mendon për rrethimin e Centralit Bërthamor të Çernobilit, Stoltenberg u shpreh se një gjë e tillë nuk është diçka që është planifikuar rishtazi.

“Kjo do të thotë se ata janë duke marrë nën kontroll shumë e më shumë territor në Ukrainë. Por, përsëri, kjo është pjesë e diçkaje që ata e kanë planifikuar për një kohë të gjatë. Ky nuk është një su*lm vetëm për Ukrainën, por për rregullin e sigurisë në Evropë gjithashtu” ka shtuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.