Pasojat e pandemisë – Ja sa biznese janë më pak, për 1 vit


Të dhënat e Regjistrit Qendror tregojnë se në vitin 2021 janë mbyllur 700 biznese më shumë se në vitin 2020, ndërsa pa punë kanë mbetur 16 mijë persona. Për një vit, gjithsej 7000 kompani i kanë vënë drynin aktiviteteve të tyre.
Gati 7000 firma janë mbyllur vitin e kaluar. Të dhënat e Regjistrit Qendror tregojnë se në vitin 2021 janë mbyllur 700 biznese më shumë se në vitin 2020, ndërsa pa punë kanë mbetur 16 mijë persona.

Nga pandemia ndër më të prekurit kanë qenë bizneset e hotelierisë për shkak të masave shtrënguese për punën e lokaleve, por edhe dyqanet si rrjedhojë e uljes së konsumit dhe kursimit të qytetarëve. Vjet drynin punës së tyre i kanë vendosur 343 restorante dhe objekte për shërbimin e ushqimit, 181 për shërbimin e pijeve, 282 shitore për ushqime, pije dhe duhan, 130 lloje të tjera të shitoreve me pakicë, pemë-perime, mobilje, materiale ndërtimore, mishtore, tekstil, mbi 190 floktari etj.

Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia nuk ka kursyer përveç sektorit të shërbimeve, edhe sektorin e prodhimtarisë. Në vitin e kaluar janë mbyllur edhe mbi 15 kapacitete prodhuese të veshmbathjeve. Pandemia ka goditur industrinë e tekstilit ku për shkak të uljes së eksportit janë mbyllur më shumë kompani në këtë sektor. Nga ana tjetër të dhënat tregojnë se në vitin 2020 u mbyllën mbi 6200 kompani, ndërsa afër 17 mijë qytetarë mbetën pa punë.

Ish kryetari i Organizatës së Punëdhënësve, Angel Dimitrov thotë se më shumë veprimtari kanë qenë edhe më të prekura në vitin 2021 në raport me vitin 2020, ndërsa më të goditura kanë qenë kompanitë që kërkojnë punë intensive si ato të tekstilit dhe lëkurës. “Më shumë biznese kanë mbyllur në ato veprimtari që kanë pjesëmarrje të madhe të fuqisë punëtore dhe kanë harxhime të mëdha edhe për paga në totalin e kostos së punës së tyre. Ato janë ballafaquar edhe me ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimeve dhe mungesën e parave të gatshme apo likuditetin në rezervë, andaj edhe janë mbyllur duke mos mundur të mbulojnë humbjet”, shton Dimitrov.

Ndër sektorët më të goditur ishin edhe ai i turizmit ku sivjet në liqenin e Ohrit ka pasur vetëm dhjetë për qind të turistëve të huaj në raport me vitin 2019. Në vend të qëndrimit të tyre prej muajit maj deri në tetor, ato sivjet kanë vizituar Ohrin dhe strugën në një numër shumë të vogël. Njëherësh analizat e ndryshme tregojnë se kafiteritë, restorantet, dhe objektet e tjera hotelerike kanë pësuar mjaft dëme nga pandemia. Analiza e ekspertes Diana Milenkovska vetëm për komunën Qendër në Shkup tregon se masat qeveritare kanë qenë konfuze, të paqarta dhe të pa kuptueshme mjaftueshëm.

“Problemet kryesore me të cilat janë ballafaquar hotelierët në vitin 2020 por edhe në vitin 2021, janë ulja e qarkullimit në periudhën mars-dhjetor 2020 edhe për 50 deri 80 për qind, që po zgjat edhe përgjatë vitit 2021, ulja e numrit të punëtorëve dhe pagave, si dhe harxhimet shtesë fikse si ujë, rrymë, qiratë etj, që janë pjesë të çdo biznesi”, thuhet në analizën e Milernkovskës.