Gjykimi për “Parcelat në Vodno”: Dëshmuan tre persona

Me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja sot në Gjykatën Penale në Shkup vazhdon gjykimi për rastin “Parcelat në Vodno”.

E para është dëgjuar aktorja Sofija Kunovska e cila tha se në vitin 2012 ka qenë anëtare e Këshillit të Qytetit të Shkupit nga grupi i këshilltarëve të LSDM-së ku edhe pse kanë votuar kundër PDU në Qytetin e Shkupit ata janë mbivotuar dhe ai është miratuar.

Dëshmitari Dejan Mitrevski- Urko i cili nga viti 2000 deri 2014 ka punuar si shef i sigurimit të kryeministrit Nikolla Gruevski në pyetjen e avokatëve nëse ndonjëherë ka dëgjuar Gruevski të kërkojë nga dikush urbanizim të lokacionit “Sherbetnica” në Vodno ai tha se një gjë të tillë nuk ka dëgjuar, as edhe se ndonjëherë ka dashur të blejë truall në atë lokacion.

I pyetur nëse ka marrë pjesë në takimin mes Nikolla Gruevskit dhe Jordan Kamçevit, dëshmitari ka thënë se takim klasik nuk ka pasur, por vetëm nëse janë takuar rastësisht në rrugë ose ndonjë ngjarje.

Në pyetjen e gjykatës nëse është angazhuar për sigurimin e shtëpisë së tij dhe cila është adresa, dëshmitari tha se ajo ka qenë në rrugën “Bihaqka” kati i tretë, banesa 15.

“Nuk e di saktë se kur për herë të parë jam takuar me të, por mendoj se në vitin 2015 ose 2016. Pasi i përfundoi mandati nuk kam qenë sigurimi i tij”, ka deklaruar Mitrevski.

Sipas Mitrevskit, Gruevski ka pasur raport normal edhe me Mijallkovin me të cilin ka thënë se është takuar shpesh derisa ka qenë kryeministër.

E treta ka dëshmuar gazetarja Ivona Talevska e cila në vitin 2011 deri 2016 ka punuar në Televizionin “Sitel”. Ajo tha se nga brifingjet dhe takimet në qeveri në vitin 2013 ka konkluduar se marrëdhëniet me Nikolla Gruevskin dhe Qeverinë kanë qenë jashtëzakonisht të këqija.

Në pyetjen e Kamçevit nëse nga kjo mund të konkludohet se nuk ka pasur asnjë relacion biznesi mes tij dhe Gruevskit derisa ai ka qenë kryeministër, Talevska ka thënë se ai publikisht e ka konfirmuar në konferencën për shtyp në vitin 2013 kur ka thënë se nuk ka pasur as edhe planifikuar takim me biznesmenin Kamçev.

Në pyetjen e gjykatës se si kanë qenë raportet e Gruevskit me Mijallkovin, Talevska ka thënë se përfundimi i saj personal është se ata nuk kanë qenë në marrëdhënie të mira.

I fundit është dëgjuar dëshmitari Oliver Dimitrovski, themelues dhe pronar i firmës për patundshmëri “Nju vej limited” i cili tha se nga Orce Kamçevi ka marrë dy lokacione, njërën në Vodno, tjetrën tek Filipi 2.

Në seancën e sotme për shkak të arsyeve personale nuk ka marrë pjesë dëshmitarja Borkica Gruevska e cila do të dëgjohet në seancën e ardhshme të caktuar më 28 shkurt.

Rastin “Parcelat në Vodno” e udhëheq gjykatësi Ilija Tërpkov, ndërsa përfaqësuese e aktakuzës është prokurorja Lile Stefanova.

Sipas aktakuzës, ish-kryeministri Gruevski është i akuzuar për veprat “larje parash dhe për përfitim të paligjshëm dhe fshehje të pronës”, ndërsa kumbari i tij Risto Novaçevski, afaristët Nenad Josifoviq, Jordan Kamçev dhe Ratka Kunovska Kamçeva ngarkohen për “larje parash”, ndërsa Sasho Mijallkov i cili është kushëriri i parë i Gruevskit, akuzohet për “ndihmë gjatë veprës penale larje parash dhe të ardhurave të tjera nga vepra ndëshkuese”.