Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka reaguar lidhur me dëmtimin e kabllove metalike në këtë komunë, ku ishte vendosur edhe flamuri me fotografitë e ish- krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Nura në një postim në Facebook, ka thënë se ky ishte një veprim i qëllimshëm dhe një akt shumë i ulët.
“Një akt i tillë si ky i prerjes së qëllimshme të kabllove metalike të transparentit me fotografi të Thaçit e Veselit me mbishkrimin “Liria ka emër”, është i papranueshëm dhe tepër i ulët. Dikënd po e pengon e vërteta. Historia nuk mund të rishkruhet me veprime të tilla. Drenica nuk i harron bijtë e saj. Një veprim i tillë ka veç një adresë e cila gjendet jashtë kufijve, ndërsa ekzekutorët duhet t’i gjejë policia, që tashme po merret me rastin”, shkruan Nura.
Ndërkaq pas kësaj komuna e Skenderajt si duket e ka marrë përsipër që flamuri me këto dy figura të rëndësishme të UÇK-së të vihet në vendin e saj. E këtë e bëri të ditur vetë kryetari Nura ku ai në Facebook po ashtu shkroi.
“Shqipet iu rikthyen fluturimit!”, shkruan ai.