Thirrje deri tek nxënësit që të orientohen në drejtimet profesionale


Dhjetëra makina janë në radhë për t’u riparuar. Mjeshtri që do t’i rregullojë ato është Shuajb Jakupi, vetëm 19 vjeç, ish nxënës i shkollës së mesme profesionale “Boro Petrushevski” në Shkup.
Jakupi tha se akoma pa përfunduar shkollën e mesme në profilin autoteknik-mekatronik kishte marrë dhjetëra oferta pune nga kompani të ndryshme.

“Arsimi profesional t’i hap shumë dyer të jetës. Mendoj që fillimisht të profesionalizohem sa më shumë në këtë profesion dhe pas disa viteve mendoj të kem një servis timin dhe të punoj vet. Profesioni mekanik është super profesion i mirë dhe ka një të ardhme shumë të mirë, i apeloj të gjithë që të vazhdojnë në këtë drejtim. Mund ta gjej secili vendin e punës, normal duhet të mësoj, të punoj, të ketë sukses dhe kërkesat vijnë vet”, tha Shuajb Jakupi, autoteknik mekatronik.

Inxhinieri i makinerisë Azem Sejfullah dhe kolegu i tij Neshat Poliko kërkojnë që Ministria e Arsimit t’i nxisë nxënësit për arsimin profesional dhe të parandalohet largimi i të rinjve për vende pune jashtë vendit.

“Ndodhë që te ne të vijnë nxënës që kanë përfunduar gjimnazin, të marrin një diplomë profesionale. Është çudi, vijnë te ne nxënës të ç’rregullt të cilët dëshirojnë të rikualifikohen që të mund të kenë prosporitet në jëtë”, u shpreh Azem Sejfullah, inxhinier i makinerisë.

“Mos të lejojmë që rinia të dal në Evropë por të mbetet këtu. Ti lëmë lëndët e përgjithshme, edhe ato janë të nevojshme por më të shkurtra të jenë kurse lëndët profesionale me praktikën duhet të jenë më të zgjeruara dhe të ketë kualitet të nxënësve për përgatitjen e tregut. Jo vetëm Ministria e Arsimit, edhe prindërit të punojnë me fëmijët e vet që ti shohin aftësitë e tij se për çka është, a është për gjimnaz a është për shkollë profesionale”, tha Neshat Poliko, mekanikë- elektronikë.

Në shkollën e mesme të autotrafikut “Boro Petrushevski” janë të shumta kërkesat e kompanive për kuadër të ri në lëminë e makinerisë, posaçërisht atë të elektronikës.

“Vitin e kaluar, nxënësit tonë të drejtimit auto mekanik, elektronicist, karroserik mekanik dhe drejtimit katër vjeçar teknik të automjeteve motorike, diku 50 nxënës janë punësuar nëpër firma private. Nxënësit janë të kënaqur sepse e dëshmojnë veten me profilin dhe profesionin e tyre, janë të përgatitur për tregun e punës ashtu si duhet”, theksoi Zekirija Zekiri, zv/drejtor i QSHA “Boro Petrushevski”.

Në vitin shkollor 2021-22, nga gjithsej 10.683 nxënës të regjistruar në arsimin e mesëm profesional, 1400 nxënës kanë zgjedhur arsimin e dyfishtë. Si drejtime më të kërkuara janë: makineria, elektroteknika, teknologjia kimike, ekonomiko-juridiko-tregtar dhe pylltaria.

Nga Oda Ekonomike thonë se interesimi për drejtimet profesionale mund të rritet vetëm nëse ndryshohen programet mësimore në përputhje me nevojat e tregut të punës. Ministri i Arsimit paralajmëron dialog mes palëve për të nxitur interesimin për drejtimet profesionale duke shtuar se rreth 400 kompani janë të interesuar për stimulimin e nxënësve nga bizneset e tyre.
VIDEO