Kovaçevski: “Maqedonia e Veriut po pozicionohet si udhëkryq energjetik në rajon”

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot mori pjesë në manifestimin me rastin e vënies së gurthemelit të linjës së transmetimit 400 kilovolt që fillon nga trafo-stacioni “Manastiri2” dhe lidh sistemet e transmetimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Projekti, si projekt i Korridorit 8, ka vlerë të jashtëzakonshme strategjike dhe kapitale rajonale.

“Me këtë investim prej 17.2 milionë eurosh lidhemi me Republikën e Shqipërisë si shteti i fundit me të cilin vendi ynë nuk ishte i lidhur energjetikisht. Në këtë mënyrë përfundojmë procesin e kyçjes në sistemet e transmetimit të energjisë elektrike të të gjitha vendeve fqinje, me të cilat tashmë kemi pesë interkoneksione në nivel tensioni 400 kV – dy lidhje me Greqinë dhe një me Serbinë, Kosovën dhe Bullgarinë.

Vendi ynë ka rol kyç në lidhjen rajonale të energjisë dhe për këtë arsye ky investim është i një rëndësie të madhe për ne dhe për të gjithë rajonin. Me këtë projekt, Maqedonia e Veriut pozicionohet si udhëkryq ballkanik për shpërndarjen e energjisë elektrike”, tha kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij duke përshëndetur fillimin e punës në këtë linjë transmisioni, e cila është pjesë e projektit më të madh kapital prej 50 milionë euro në rrjetin e transmisionit për ndërlidhjen e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, ku ndër të tjera përfshihet edhe ndërtimi i trafo-stacionit afër Ohrit, i cili ka filluar në gusht të vitit 2021, si dhe zgjerimi i transformatorit 400/110 kilovolt “Manastiri 2”.

Në fushën e të gjithë zinxhirit elektroenergjetik lindje-perëndim, tha kryeministri Kovaçevski, linja interkonektive e transmisionit Manastir-Elbasan është realizimi i Korridorit 8 dhe është një hallkë kyçe në kalimin e energjisë elektrike nga Bullgaria, përmes Maqedonisë së Veriut, përmes Shqipërisë në Italia./Telegrafi/