Ahmeti: “Kasami të flet me argumente! Nuk kam kontaktuar me Arifin pas publikimit të kontratave në vepër”


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot komentoi akuzat e kreut aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, për keqpërdorim të buxhetit në këtë komunë nga qeverisja e kaluar në krye me Teuta Arifin nga BDI. Ahmeti thotë se Kasami duhet t’i argumentojë akuzat e tij.

“Nëse zotëri Bilall Kasami ka argumente për të cilat ai flet, ka institucione, ka organe që mund të ngrisin këto çështje. Nuk do të doja që për çështje të politikave ditore për të përfituar terren politik, për të denigruar personalitete, për të denigruar parti politike të shfrytëzohet gjëra të paargumentuara në një proces juridik”, tha Ahmeti.

I pyetur nga gazetaret nëse ka kontaktuar me Arifin pas publikimit të listave për kontrata në vepër në Komunën e Tetovës, Ahmeti tha se nuk ka pasur kohë për një gjë të tillë.
“Jo nuk biseduar sepse kam pasur tema tjera dhe angazhime, nuk më është rastisur që të bisedoj”, tha Ahmeti.