Shtrenjtimi i biletave të autobusëve! Paralajmërohen protesta


Çmimi i biletave të autobusëve ndërqytetës janë shtrenjtuar. Së fundmi për 30 denarë janë shtrenjtuar ato të relacionit Kumanovë- Shkup të cilat tash po kushtojnë 150 denarë. Arsye e rritjes është ngritja e çmimit të karburanteve, arsyetohen nga kompanitë e autobusëve nga ku nuk duan të flasin para kamerës. Si arsye tjetër përmendin edhe të dielën ditë jo pune, ditë kur duhet të paguhen edhe pse nuk punojnë. Qytetarët të revoltuar theksojnë se rritja është e lartë në krahasim me rrogat e ulëta.

“Ndikon në përgjithësi ndikon, jo vetëm te udhëtarët te gjithçka, por jo është në tërë botën por ne jemi një shtet më i varfër dhe normal te ne ndikon më tepër. Ankesa, ku me u anku, më trego, ku të ankohemi kush e dëgjon zërin e popullit asnjëri nuk e dëgjon”, shprehet njëri nga qytetarët.

“Në raport me rrogat në Maqedoni nafta është tepër e lartë, 74 denarë dhe benzina 82 denarë dhe normal do të hyp transporti do të ketë rritje të madhe të transportit”, thotë një qytetar tjetër.

Ata që më shumë e ndjejnë këtë rritje të çmimit të biletës, janë studentët.

“Studenti në Maqedoninë e Veriut përpos problemeve të ndryshme që has gjatë vitit akademik e kemi tani dhe rrugën. Bëjmë thirrje deri tek Qeveria që kjo të merret seriozisht për këtë kategori të qytetarëve. Përndryshe ne do të protestojmë”, tha Eren Ali, student.

Ekonomisti Branimir Jovanoviç thotë se kjo rritje është pasojë e rritjes globale të çmimit të karburanteve.

“Sipas meje ajo çka duhet të bëhet tash është që Qeveria ngrirj çmimet e karburanteve siç e bëri me çmimet e ushqimit dhe produkteve tjera. Shumë shtete në Evropë kanë ngrirë çmimet e karburanteve siç kanë bë fqinjët Serbia dhe Kroacia kur ata e kanë bë nuk shef pse Maqedonia të mos e bëj”, vlerëson Jovanoviq.

Ai shtoi se përveç ngrirjes së çmimit, qytetarët mund të ndihmohen edhe me subvencionim, gjithsesi kjo është e vështirë sepse nuk dihet kush udhëton e kush jo. Ndryshe që nga fillimi i pandemisë e deri sot ka pasur shtrenjtim të biletave për disa relacione ndërqytetëse./TV21