Ndahet nga jeta gazetari Menduh Ajdini


Ka ndërruar jetë Menduh Ajdini, veterani i gazetarisë shqipe në Maqedoni.
Gjatë kohë, në vitet 1970-’80, Menduh Ajdini ka ushtruar detyrën e kryeredaktorit të redaksisë shqipe në Televizionin e Shkupit (Radio Televizionin e Maqedonisë), ndërsa mbahet mend si redaktori i vetëm që refuzoi imponimin e toponimeve maqedonase të qyteteve të Maqedonisë.

Pas refuzimit, u shkarkua nga detyra e kryeredaktorit, ndërsa më pas u mor me shkrime dhe raporte televizive që kultivonin kulturën dhe arsimin shqip në Maqedoni.
Menduh Ajdini, ndër kolegët e asaj kohe, mbahet mend si një redaktor shumë të matur dhe të kujdesshëm, megjithëse u gjend në një situatë shumë të vështirë kur nga të gjitha mediumet shqiptare, udhëheqësit komunist të shtetit kërkuan të ndryshoheshin toponimet, konkretisht të përdorej forma e maqedonishtes në emrat e qyteteve si p.sh Shkupi duhej të lexohej Skopje, Manastiri – Bitolla, Dibra – Debar.

Edhe pse e dinte se do të shkarkohej nëse refuzon një gjë të tillë, Menduh Ajdini megjithatë refuzoi çdo urdhër të komunistëve të asaj kohe, deklaruar se: “unë do ti ndryshoj toponimet vetëm kur të bindem në mënyrë shkencore se duhet ti ndryshoj”. Pas 24 orëve, Menduh Ajdini largohet nga televizioni, ndërsa deri në vdekje vazhdoi të kontribuojë për shkronjat dhe kulturën shqipe.