Tre vite pas ak*sidentit në Laskarcë, familjet e vi*ktimave presin drejtësi


Sot janë mbushur tre vjet nga tragjedia në afërsi të fshatit Llaskarcë ku humbën jetën 16 persona që po ktheheni nga puna me autobusin e agjencisë “Durmo Tours”.
38 persona të tjerë u lënduan. Traumat dhe lëndimet e të mbijetuarve të kësaj tr*agjeditë të rëndë që ndodhi në magjistralen Shkup-Tetovë, edhe sot janë të dhimbshme.

Sonja Avramovska, në ditën tragjike më 13 shkurt humbi përgjithmonë djalin e saj të vetëm. Nuk ka ngushëllim për humbjen e saj, por dhimbja është edhe më e madhe kur pas tre vitesh askush nuk mban përgjegjësi për vdekjen e djalit të saj.

“Nuk ishte ak*sident trafiku. Ishte vrasje. Vrasje e 16 personave. Para gjyqit më 20 prill, më 19 prill, burri im vdiq nga një atak në zemër … Për mua jeta ka pushuar së ekzistuari dhe koha të rrjedhë që nga 13 shkurti 2019. Unë nuk jetoj. Unë vetëm marr frymë”, deklaroi Sonja Avramovska, nëna e të ndjerit Boban Avramovski.

Procesi gjyqësor për këtë tragjedi të rëndë ende nuk ka marrë epilog. Procedura e provave përfundoi por kur pritej aktgjykimi, gjykata urdhëroi të bëhet një superekspertizë për shkaqet e aksidentit, pasi mbrojtja dhe prokuroria kishin paraqitur ekspertizat e tyre që ishin krejtësisht të ndryshme.

Tani pritet që Byroja për Ekspertizë Gjyqësore, të angazhojë ekspertë që do të bëjnë superekspertizën. Nëse ekspertiza nuk përfundon deri në mars, do të kalojnë 90 ditë nga seanca e fundit, e cila ishte më 21 dhjetor, që do të thotë procesi gjyqësor kthehet në fillim. Derisa nuk përfundon superekspertiza anulohen të gjitha seancat e planifikuara për Llaskarcën. Seanca e parë u mbajt në shtator 2019, gjashtë muaj pas tragjedisë.

Prokuroria gjeti fajësi te gjashtë persona. Sipas aktakuzës, shoferi ka vozitur me shpejtësi 99 kilometra në orë, pas çka ka humbur kontrollin e autobusit dhe ka dalë nga autostrada. Prokuroria ka konstatuar edhe një sërë parregullsish në funksionimin e “Durmo Tours” dhe Qendrës Teknike – Gostivar, ku është kryer servisimi i autobusit. Sipas aktkauzës, edhe pse është ditur se autobusi ishte me defekt dhe nuk ka punuar sistemi i frenimit, ai nuk kishte bërë kontrollin e duhur.

Autobusi kishte gjithashtu edhe një pajisje për matjen e rreme të shpejtësisë. Durmish Beluli, pronar si i Durmo Tours, edhe i Qendrës Teknike ku u është servisuar autobusi, është i akuzuari i parë për tragjedinë. Krahas tij, gjykohet edhe shoferi, si dhe katër punonjës të tjerë në kompanitë e Belulit. Ata gjykohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Në fillim të procesit, shumicës së të akuzuarve u shqiptua masa e paraburgimit, por ndërkohë të gjithë dolën nga Shutka dhe epilogun gjyqësor do ta presin në liri.