Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka pritur në një takim une ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, z. Fatos Reka.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi dhe ambasadori Reka shkëmbyen mendime rreth marrëdhënieve aktuale dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe nevojën e intensifikimit të tyre për tejkalimin me sukses të sfidave drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Gjatë këtij takimi ambasadori Reka përgëzoi Grubin për riemërimin e tij në pozitën e Zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive duke i dëshiruar sukses dhe vazhdimësi efikase të koordinimit institucional me Republikën e Shqipërisë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri i parë Grubi falënderoi ambasadorin Reka për urimin dhe shprehu rëndësinë e mbështetjes së ndërsjellë që të dyja vendet duhet t’i japin njëra tjetrës në prioritetet e përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve dhe avancimit të nivelit të komunikimit dhe bashkëpunimin më efikas tregtar duke krijuar predispozita bashkëkohore infrastrukturore.
Grubi njoftoi ambasadorin Reka për fazat e realizimit të projekteve të rëndësishme të ndërlidhjes infrastrukturore më efikase mes të dyja vendeve si: Korridori 8, Rruga e Arbërit, lidhja e transmetimit energjetik Manastir – Elbasan dhe projekte të tjera madhore.
Grubi dhe Reka u dakorduan se gëzon fakti që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria njëzëri po vazhdojnë të ruajnë partneritetin konstruktiv përmes ndihmës dhe përkrahjes dypalëshe me qëllim arritjen e qëllimeve të përbashkëta strategjike, anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian.
Në fund të këtij takimi të dy bashkëbiseduesit folën edhe për marrëdhëniet e mira ndër fqinjësore dhe për zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit në përputhje me kushtetutën e vendit me theks të veçantë respektimin e barazisë gjuhësore dhe të përfaqësimit të drejtë institucional.