U refuzua nga Ministria e Kulturës, shoqata “22 Nëntori” nuk do ta shënojë Ditën e Alfabeti


Edhe pse deri më 22 nëntor kur kremtohet përvjetori i Ditës së Alfabetit kanë mbetur më shumë se katër muaj, manastirasit prej tash e dinë se nuk do organizojnë aktivitete kulturore për të shënuar solemnisht këtë datë, sepse shoqata kulturore “22 Nëntori”, e cila vitin e kaluar organizoi tribunë shkencore, për këtë vit nuk ka fituar mjete nga Ministria e Kulturës, njofton Portalb.mk.

Në tribunën shkencore që u mbajt vitin e kaluar, shoqata “22 Nëntori” organizoi konferencë shkencore me kumtesa kushtuar kësaj date të rëndësishme për kulturën shqiptare. Krahas nga Maqedonia, në Manastir kjo shoqatë solli gjuhëtarë dhe historianë nga Kosova dhe Shqipëria.

Drejtuesja e shoqatës “22 Nëntori”, Sibel Alimovska edhe pse me projekt të përgatitur që të shënojë 110 vjetorin e Ditës së Alfabetit, ndjehet e befasuar dhe nuk e ka të qartë se pse nuk u financua nga Ministria e Kulturës.

“Duke e parë dëshirën e shumë manastirasve që edhe sivjet të shënohet 22 Nëntori – Dita e Alfabetit, mendova se Ministria e Kulturës do ta sheh të udhës që ta financojë projektin. Mirëpo, për befasinë tonë jo të këndshme, Ministria nuk ndau asnjë qindarkë”, tha Alimovska.

Alimovska shprehet e zhgënjyer, pasi që sipas saj, me projektin që u refuzua nga Ministria e Kulturës, Dita e Afabetit, këtë vit do të kremtohej shumë më ndryshe se vitin e kaluar.

“Edhe këtë vit do të sillja figura historike nga trojet shqiptare. Do të sillja nga Mali i Zi, nga Presheva, nga Çamëria, që të mos diskriminohen siç kemi bërë deri tash. Tërë kjo do të bëhej që të zbardhnim fakte të panjohura deri më tash për këtë datë të madhe”, ka thënë më tej Alimovska.

Ajo shprehet e revoltuar se pse Manastiri, si njëri nga qytetet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, mbetet i anashkaluar nga Ministria e Kulturës. Fatin e shoqatës “22 Nëntori” e ka pasur edhe shoqata “Estradafonia” e cila organizonte Festivalin “Zëri i Alfabetit”.

Autor: Qenan Hasani