Protestuesit kërkojnë hetim ndërkombëtar për rastin “Alfa” (VIDEO)


Protestuesit të cilët sot kërkonin drejtësi për rastin “Alfa” dhe për tani më ish të ndjerin Rexhail Qerimi, arritën deri tek objekti i delegacionit të BE-së, ku lexuan edhe komunikatën e protestës.
Ata thonë se Rexhail Qerimi ka humbur jetën në rrethana të dyshimta në qelinë e burgut të Idrizovës.

“Në këtë shtet vazhdon diskriminimi i hapur dhe padrejtësisë ndaj shqiptarëve. Si mund të shpjegohet ndryshe ku numri i madh i shqiptarëve të dënuar padrejtësisht është tepër i lartë, edhe më i lartë është numri i të burgosurve që kanë përfunduar tragjikisht në qelitë e burgjeve”, tha njëri nga organizatorët e protestës.
Ata shtojnë se sipas ekspertizës profesionale rasti “Alfa” është fund e krye rast i montuar.

“Protestat tona nuk do të përfundojnë kundër këtyre përndjekjeve dhe terrorit të hapur kundër shqiptarëve. Thirrjet tona në radhë të parë drejtohen institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin masa për ndalimin e këtyre veprimeve të egra dhe barbare kundër shqiptarëve. Të ndërhyjnë te autoritetet e shtetit për sigurimin dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve për shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve”, u tha në komunikatën e organizatorëve.

Ata kërkojnë që të ketë rigjykim të lëndëve si “Alfa”, “Monstra”, dhe të gjykohen nga ndërkombëtarët./SHENJA/