Peticioni i prindërve kundër një fëmije me sindromën Down është disfata më e fundit e shoqërisë sonë për sa i përket qëndrimit ndaj më të pambrojturve mes nesh. Paragjykimet e rrënjosura kanë mbizotëruar edhe një herë mbi parimet bazë të solidaritetit dhe ndjeshmërisë. Menaxhmenti i institucionit arsimor në Gostivar me veprimet e tij iu bashkua diskriminuesve, në vend që të vihej në mbrojtje të një fëmije, përfshirja e të cilit nuk është vetëm obligim moral, por edhe ligjor. Kështu thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit, i cili ka bërë thirrje për shkarkim të menjëhershëm të drejtorit të shkollës fillore “Bashkimi” në Gostivar. Komiteti i Helsinkit ka informuar gjithashtu se tashme ka përgatit ankesa dhe letra drejtuar disa institucioneve, ndërsa përpos shkarkimit të menjëhershëm të drejtorit, kërkon që në këtë diskriminim të kyçet edhe Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, raporton gazeta KOHA.
“Kërkojmë që Komuna e Gostivarit të shkarkojë menjëherë drejtorin që lejoi një zhvillim të tillë të ngjarjeve dhe trajtim tejet diskriminues ndaj Ëmblës së vogël. Gjithashtu, kërkojmë që Ministria e Arsimit dhe Inspektorati Shtetëror Arsimor të mbikëqyrin shkollën dhe të marrin të gjitha masat për mbrojtjen e nxënëses, si dhe të sigurojnë të gjitha kushtet për përfshirjen e saj në mësim. Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili tashmë ka shpallur veprimin sipas detyrës zyrtare, të informojë për të gjitha informatat që do të merren gjatë punimit të këtij rasti. Sanksionet dhe një përgjigje institucionale janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme, për të çrrënjosur praktikat diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në kërkesat e Komitetit të Helsinkit.