Imami kosovar: Edhe ndalesa e bartjes së mbulesës tek vajzat në shkolla është bullizëm


Bujë të madhe së fundi bëri një video e publikuar nga profesori i biologjisë, Lulzim Paci.

I njëjti kishte realizuar një video duke vallëzuar në apartamentin e tij dhe të njëjtën e kishte publikuar në TikTok.

E lidhur me këtë pati reagime të shumta, ndërsa është pikërisht deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani e cila e linçoi profesorin.

E pas këtyre zhvillimeve, imami Labinot Maliqi ka reaguar duke thënë se edhe ndalesa e Ministres së Arsimit për bartjen e shamisë në shkolla po vazhdon të shkaktojë bullizëm tek vajzat që e bartin atë.

Ai madje tha se meqë kryeministri Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm t’i përgjigjet të gjitha kërkesave të qytetarëve të Kosovës, Maliqi kërkoi që të përgjigjet edhe për kërkesën e bartjes së mbulesës në objekte shkollore.

Postimi i plotë:

Edhe ndalesa e Ministrisë së Arsimit për bartjen e shamisë në shkolla, po vazhdon të shkaktoj #bullizëm tek ato vajza që e bartin atë.
Meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha mbrëmë se: “Jam i gatshëm t’i përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës.” Atëherë, kërkoj që t’i përgjigjet kërkesës sonë dy dekada e vjetër, duke e shfuqizuar ndalesën administrative të MASHT-it, e cila po vazhdon t’ua mohoj vajzave të drejtën e tyre kushtetuese për t’u shkolluar, dhe të drejtën kushtetuese për ta praktikuar hapur besimin e tyre.