Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali ka njoftuar se së shpejti do të plotësojë me antarë të rinj Komisionin e Sëmundjeve Ngjitëse. Ai thotë se rrethanat aktuale kërkojnë veprim të fuqizuar dhe të koordinuar, gjithsesi të mbështetur në vlerësime profesionale dhe reale. Bekim Sali ka ftuar publikisht tre epidemiologë të njohur që të bëhen pjesë e këtij organi.
“Siç e dini, unë tashmë kam paralajmëruar se ndryshimet që do të ndodhin në këtë organ do të jenë në drejtim të zgjerimit dhe plotësimit të përbërjes së tij me kuadro të reja e profesionale të më shumë fushave. Prandaj, me qëllim që ky proces të jetë efektiv dhe i suksesshëm, dëshiroj t’u bëj ftesë publike edhe profesorëve të njohur, Dr. Dragan Danillovski, Dr. Nikolla Panovski dhe Dr. Velo Markovski, që të bëhen anëtarë të Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse dhe kështu të kontribuojnë në punën e tij.
Unë kam kënaqësi që ftesën për këta ekspertë ta bëj publikisht, duke u bazuar në ndjekjen e debatit publik rreth mundësisë së përfshirjes së tyre në Komisionin e Sëmundjeve Ngjitëse.
Zëri i shkencës është jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër Covid-19. Ta shfrytëzojmë atë në mënyrën më të mirë. Nëse për çfarëdo arsye nuk kanë mundësi të bëhen pjesë e Komisionit të Sëmundjeve Ngjitëse, u bëj ftesë publike që të jenë pjesë e ekipit tim të këshilltarëve”, ka shkruar ministri Bekim Sali