Largimet nga Lëvizja BESA nuk ndalen, dorëhiqet kryetari i degës së Studeniçanit


Largimet nga Lëvizja BESA nuk ndalen! Së fundmi përmes një publikimi në rrjetet sociale Isamdein Sadiki njoftoi se dorëhiqet nga posti kryetar i degës së Studeniçanit.

Postimi i plotë:

Të nderuar miq, familjarë, antarë dhe të gjithë ata që ma besuan detyrën e kryetarit të degës së Lëvizjes Besa në Studeniçan.

Me keqardhje ju njoftoj që nga dita e sotme, tërhiqem nga çdo lloj detyre, angazhimi madje edhe antarësimi nga kjo lëvizje.

Fillimisht, kur i hyra këtij procesi ishte nder dhe kënaqësi për mua dhe me shumë krenari kërkoja përkrahje dhe mbështetje nga çdokush që njihja e që nuk njihja, duke pasur një qëllim të vetëm, ta ndihmoj shoqërinë e sidomos rininë në shumë fusha të jetës, me theks të veçantë atë ekonomike. Por nga një Lëvizje me motorë shumë të fuqishëm, atë me ardhjen e saj në pushtet filloi ta kapë ngërçi dhe filloi Lëvizja dalë nga dalë të infektohet me shumë bakterie që shkaktonin ndezje të brendshme dhe të hapnin edhe plagë të pashërueshme, plagë këto që rrënojnë imazhin dhe besimin e njerëzve ndaj subjektit tonë. Neglizhenca e tërësishme e degës sonë (duke mos bë të paktën as edhe një punësim në Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Kulturës, Agjensionit për Punësim dhe shumë drejtori të tjera) ishin arsye të mjaftueshme për të menduar rrugëtimin tim dhe sa do të ishte e arsyeshme të qëndroj diku ku ne si degë e Studeniçanit nuk u vlerësuam fare përveç se në procese zgjedhore.

Të fillosh diçka nga zero, dhe të arrish deri diku me rezultate jo edhe shumë të kënaqshme, por të arsyeshme nga ajo se çfarë morëm për kthim nga Lëvizja, është shumë rrugë e vështirë, po aq sa edhe dëshperuese kur kjo të kthehet në mospërfillje nga dikush që kur është krijuar kjo lëvizje, nuk kanë qenë fare ose kanë qenë vetëm spektatorë dhe kjo është e papranueshme për mua. Nuk mund të vazhdojmë të jemi kurbanë të dikujt që për synim ka vetëm shfrytëzimin e degës tonë (egzistenca si figurë dhe për ta plotësuar tabelën e krijimit të degëve) e koncentrimin ta ketë vetëm në një vend tjetër.

E ndjej të arsyeshme t’i kërkoj hallallëk çdonjërit që ma besoi këtë detyrë kryetar dege duke filluar nga antarë të degës, shokë që më qëndruan prapa shpine në çdo gjë, në çdo aktivitet dhe qëndruan deri në fund duke e parë faktin që harxhonin energji e nuk po merrnin asgjë si kthim, ndaj familjarëve dhe të gjithë ato që na kanë përkrahur pa asnjë interes.