Një hap pranë çmimeve “Oscar”, filmi shqiptar “Zgjoi” kërkon përkrahje për të shkruar historinë


Sot, më 27 janar do të fillojë votimi i anëtarëve të Akademisë për të nominuar filmat në “Oscars 2022”. Kosova me filmin “Zgjoi” është futur për herë të parë në listën e ngushtë për të siguruar një nominim.
Në bazë të kësaj, një kërkesë që ta përkrahin dhe promovojnë filmin e ka bërë edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.

Postimi i plotë:
“Të dashur qytetarë e bashkë-atdhetarë kudo që jeni nëpër botë.
Nesër fillon votimi zyrtar për nominimet Oscar nga Akademia Amerikane e Filmit.
Republika e Kosovës, për herë të parë është në listën e ngushtë për të fituar një nominim me filmin e jashtëzakonshëm HIVE.

Andaj ju ftojmë që ta shpërndani këtë cover të filmit HIVE, për ta përkrahur dhe promovuar bashkë filmin tonë drejt fitores në Oscars! Bashkë mund t’ia dalim”.
Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj.