Masat e reja: Revoltë në pikën kufitare me Kosovën – Shumë shtetas të RMV-së u kthyen mbrapsht

Shtetasit e Maqedonisë së Veriut kthehen mbrapsht në pikat kufitare me Kosovën.
“Prej Kosovarëve është marr vendimi që nuk lejojnë pa tri doza! Po do ta provoj ta shoh nëse dal mirë”.
Nga sot të gjithë personat që nuk i përmbushin kushtet nuk mund të hynë në territorin e Kosovës.

“Shtetasit tanë për të hyrë në territorin e Kosovës që nga mesnata janë të detyruar të kenë tre doza të vaksinave apo dy vaksina dhe një PCR test negativ, i cili me kosto të rregullt kushton 25euro”.

Ky vendim i Qeverisë në Prishtinë ka revoltuar qytetarët. Thonë se nuk kanë mundur të informohen në kohë, pasi vendimi u mor shumë shpejtë.
“Po na kthyen se na kërkojnë vaksinën e tretë, ka dy i kemi por kjo nuk është normale në gjithë Evropën udhëtojmë me dy vaksina por çfarë të bëjmë”, tha një qytetar.

Nga ana tjetër në hyrje të Maqedonisë shumë makina me shtetas të Kosovës hynin në vendin tonë. Disa prej tyre nuk e dinin që në të kthyer në Kosovë do të jenë të detyruar që të bëjnë test PCR nëse kanë dy doza të vaksinës. Ata që ishin të njoftuar thonë se kostoja për një familje 4 anëtare do të jetë minimumi 100 euro vetëm për testime.

“Po udhëtoni në Maqedoni, a e dini se kur të ktheheni ju kërkojnë PCR test nëse nuk i keni tri vaksina. Nuk e di nuk kemi asnjë informacion … le të na mbajnë nëse duan s’kemi çfarë të bëjmë. A është në rregull? Asgjë jo, por nuk merret vesh është përzier çdo gjë me politikë e me pandemi etj”, shprehet një qytetar.

“Edhe pse kjo nuk është normale për mua se kur i ke dy vaksina ti je i mbrojtur 70% nga kovidi por duhet ti bëjmë patjetër. Tash jeni të detyruar të bëni në Maqedoni PCR test për kur të ktheheni në Kosovë? PO! A është normale kjo kosto shtesë? Jo nuk është aspak në rregull, por s’kemi ç’të bëjmë”, tha një qytetar.

Autoritetet e Kosovës thonë se këto vendime janë marrë në mbrojtje të mospërhapjes së variantit Omicron. Nga masa lirohen shtetasit e huaj që tranzitojnë përmes territorit Kosovar brenda tre orësh dhe personat nën moshën 12 vjeçare. Nga ana tjetër OBSH kërkoi lehtësim të masave të qarkullimit në të gjitha vendet. Disa prej shteteve tani më kanë vendosur të heqin kufizimet, siç është Britania e Madhe që nga 27 janari do të heq përdorimin e detyrueshëm të maskave dhe pasaportave të vaksinimit. Shembullin e Mbretërisë së Bashkuar pritet ta ndjek Spanja dhe disa vende të tjera të BE-së që synojnë heqjen e izolimit.