Grupet ekstremiste pro serbe në Mal të Zi i bëjnë pritë Dritan Abazoviçit (VIDEO)

Grupet ekstremiste pro serbe i bënë pritë zv.kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhjetëra prej tyre e rrethuan kryetarin e URA duke e quajtur tradhtar dhe kërkuan largimin e tij.
Ekstremistët janë totalisht kundër nismës së Abazoviç dhe disa deputetëve të tjerë për krijimin e qeverisë së pakicave. Është dashur ndërhyrja e policisë që Abazoviç të largohej.

Parlamenti malazez pritet të vendosë mbi propozimin e kryeministrit Zdravko Krivokapiç për shkarkimin e numrit dy të qeverisë, Dritan Abazoviç falë partisë së të cilit u arrit të krijohej pas zgjedhjeve koalicioni qeverisës.
Pas kësaj, ligjvënësve në Mal të Zi do t’u duhet gjithashtu të shqyrtojnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë të paraqitur nga koalicioni “Bardh e Zi”, që është pjesë e ekzekutivit, si dhe nga deputetë të opozitës.

Krivokapiç depozitoi kërkesën që parlamenti të mblidhet për një seancë të jashtëzakonshme në 3 shkurt, në mënyrë që të merret një vendim për propozimin e heqjes së Abazoviçit dhe caktimit të ministrit të Financave, Milojko Spajiç në vendin e tij.
Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi Lëvizja Qytetare Ura e Abazoviçit njoftoi se kishte dërguar në procedurë parlamentare mocionin për mosbesimin e Qeverisë së Krivokapiçit.

Nisma mban firmën e anëtarëve të koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.
Ura tha se iniciativa do të tregojë nëse Qeveria aktuale e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve, por edhe për modelin e propozuar për krijimin e një qeverie të pakicës”.

Ura dhe CIVIS më 17 janar shpalosën propozimin e tyre për krijimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi. Për shkarkimin e Qeverisë së Malit të Zi kërkohen votat e 41 deputetëve.
Me mbështetjen e partisë së Gjukanoviçit, që ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura mund të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë.
https://www.youtube.com/watch?v=ydM59VzLCNg