Krim makabër në Shqipëri për shkak të një borxhi, burri mbyt fqinjen dhe e hedh në kanal


Fatime Suli, 64-vjeçarja që u gjet e vdekur një natë në parë në një kanal në fshatin Kozare në Kuçovë është vrarë nga komshiu i saj me të cilin ka edhe lidhje krushqie.

Mediat në Shqipëri raportojnë se pas pyetjes së dëshmitarëve dhe këqyrjes së pamjeve filmike në kamerat e sigurisë në disa biznese përreth, policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit Fetah Marra, 58-vjeç. Ai është dërguar para grupit hetimor ku po jep dëshminë e tij ndërsa burimet konfirmojnë se vrasja ka ndodhur për disa para borxh, që Marra i kishte familjes së gruas.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen “Havaleas” të fshatit Kozare. Familjarët e 64-vjeçares e kishin kërkuar atë prej orësh dhe më pas kishin njoftuar për ndihmë policinë. Vetëm një orë më pas, gruaja u gjet në kanal 1 km larg banesës së saj.

Në momentin e gjetjes së trupit, gruaja ishte e zhveshur nga mesi e poshtë dhe e mbuluar me gjethe dhe rrogoza domatesh brenda në kanal. Viktima u transportua drejt morgut të spitalit të Beratit. Si rezultat i autopsisë u arrit në përfundim se ajo ishte mbytur me duar.

Kjo vuri në lëvizje policinë e Beratit, për të identifikuar dhe arrestuar autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë.