Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, ka porositur shefin e opozitës maqedonase, kryetarit të VMRO-DPMNe-së, Hristijan Mickoskin, se vendi aktualisht ka nevojë për zgjidhje dhe jo për zgjedhje. Në një intervistë Grubi tha se BDI-ja mbështet ndryshimin e Kodit Zgjedhor për anulimin e qeverisë teknike, si dhe është e gatshme të bisedojë për ndryshimin e modelit zgjedhor, por u shpreh se këto ndryshime duhet të bëhet me marrëveshje mes të gjitha partive politike. Sa i përket kryeministrit shqiptar, Grubi bëri të ditur se atë nuk e rrezikon as anulimi i qeverisë teknike dhe as mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
LAJM:Shefi i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se do të dorëzoj në parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të anuluar qeverinë teknike? A është e pranueshme për BDI-në kjo nismë?
Artan Grubi: Gjatë bisedimeve që i kishim për koalicionin me LSDM-në pas zgjedhjeve të 15 korrikut të vitit 2020 ramë në dakord që të bëjmë ndryshime në Ligjin për Qeverinë dhe të shfuqizojmë qeverinë teknike për arsye se është absurde që një vend anëtar i NATO-s dhe një vend me dritë jeshile për çeljen e negociatave në BE, të ketë një qeveri teknike me ministra shtesë dhe zv.ministra shtesë, me mosbesim ndaj institucioneve të shtetit për zbatimin e procesit zgjedhor. Prandaj edhe u dakorduam që ta ndryshojmë Ligjin për Qeverinë. Aso kohe edhe z.Micoski kishte dhënë dakordësinë e vet në intervista publike në televizione që do të përkrahë shfuqizimin e qeverisë teknike, kështu që, besoj nisma të tilla duhet të bëhen në mënyrë konsezuale, të përbashkëta dhe jo të njëanshme dhe të përkrahen në Kuvend sepse nuk i ka hije një vendi në vitin 2022 të ketë mosbesim në kredibilitetin e procesit zgjedhor dhe në institucionet e shtetit.
LAJM: Pra, nisma për shfuqizimin e qeverisë nuk është e papranueshme për BDI-në nëse bëhet me konsensus?
Artan Grubi: Është pjesë e programit qeveritar, pjesë e Marrëveshjes midis LSDM-së dhe BDI-së dhe është një gjë të cilën z.Mickoski e ka konfirmuar para zgjedhjeve të vitit 2020. Nuk shoh asgjë kontestuese në këtë drejtim.
LAJM: Mickoski, poashtu kërkon zgjedhje të parakohshme dhe thotë se do të mbështesë nismën e partive më të vogla për sistem zgjedhor me një njësi. Cili është qendrimi i BDI-së?
Artan Grubi: Vlerësojmë që nuk është koha për zgjedhje të parakohshme sepse siç e shihni jemi në mes të një krize energjetike dhe shëndetësore me numra shumë të mëdhenj të të infektuarve. Poashtu, edhe një krizë me emigrantët, por edhe në mes të bisedimeve me palën bullgare rreth zgjidhjes së kontestit dypalësh midis Shkupit dhe Sofjes për çeljen e negociatave me BE-në. Pra, vendi nuk ka nevojë për kriza shtesë dhe nuk ka nevojë për zgjedhje, por ka nevojë për zgjidhje. Sa i përket kërkesës për një njësi zgjedhore, jemi të hapur për të diskutuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por ky ndryshim duhet patjetër të jetë me pajtueshmërinë e të gjitha palëve sepse i përcakton rregullat e lojës për të gjitha partitë politike në proces zgjedhor dhe duhet të ketë një pajtueshmëri të gjerë. Ta gjejmë formulën e duhur që të gjithë të dalim fitues dhe të jenë të pajtueshmëri për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
LAJM: Sa herë që hapet tema për zgjedhje të parakohshme apo anulimin e qeverisë teknike, hapet edhe tema e kryeministrit shqiptar. A e rrezikohet zgjedhja e kryeministrit shqiptar nga zgjedhjet e parakohshme apo nga anulimi i qeverisë teknike?
Artan Grubi: Jo, në asnjë mënyrë. As zgjedhjet e parakohshme, as zgjedhjet e rregullta. As qeveria teknike dhe as qeveria politike nuk e rrezikon marrëveshjen midis BDI-së, LSDM-së dhe partnerëve tjerë të koalicionit për propozimin e një kryeministri shqiptar në 100 ditët e fundit. Nëse ju kujtohet deklarat e ish kryeministrit Zaev pasi arritëm marrëveshjen e koalicionit, ai pati thënë që do të dorëhiqet në 100 ditët e fundit si kryeministër që të mundëson garë fer në zgjedhjet parlamentare duke qenë vetëm kryetar i partisë aso kohe, të LSDM-së dhe të mundëson nivel të duhur dhe të barabartë të garës për të gjitha partitë politike dhe në vend të tij BDI-ja, gjegjësisht, z. Ali Ahmeti do të propozon një kandidat për kryeministër politik, jo teknik në 100 ditët e fundit. Kështu që edhe me qeveri teknike edhe pa qeveri teknike nuk rrezikohet marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së e cila është shkruar dhe nënshkruar dhe është e dakordësuar në formë në të cilën ua prezantoj unë sot. Fatmirësisht edhe VMRO-DPMNE-ja po jep dakordësi për një kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit dhe partnerët tjetër të koalicionit gjithashtu. Unë jam i bindur sepse kanë dhënë premtim publik edhe z.Kasami edhe z.Sela edhe z.Gashi dhe të gjitha partitë politike shqiptare që do të përkrahin arritjen historike që në Kuvendin e Maqedonisë të votohet një shqiptarë për herë të parë për ta udhëhequr Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut./Gazeta LAJM/