Numër rekord i rasteve me COVID-19 janë konfirmuar sot në Kosovë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit, 2 mijë e 50 qytetarë kanë rezultuar pozitivë. Lidhur me këtë, MSH-ja po planifikon masa të reja. Këtë e ka konfirmuar këshilltari i kësaj ministrie, Drin Podrimqaku.
Podrimqaku theksoi se ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi është në konsulta të vazhdueshme me ekspertët shëndetësorë duke përcjellë situatën epidemiologjike.
“Ministri Latifi është në konsulta të vazhdueshme me ekspertët shëndetësorë dhe duke përcjellë situatën epidemiologjike, bazuar në rekomandimet e të cilëve, së shpejti do të dalim me masa të reja”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë sot njoftoi se në 24 orët e fundit janë dhënë 5.348 doza të vaksinës kundër COVID-19, ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.728.214 doza të vaksinës.
Deri më sot 798.225 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, teksa janë dhënë 40.561 doza përforcuese dhe 2.191 doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.
Në këtë periudhë kohore nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Sot janë shëruar 462 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 159.371. Në total numri i rasteve aktive është 7.266.
Cilat janë masat aktuale anti-COVID në fuqi?
Të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit të plotë. Kur personi është i vaksinuar vetëm me një dozë, krahas saj do të kërkohet testi RT-PCR negativ ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19.
Nga 3 janari 2022 për hyrje në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia e vaksinimit të plotë. Për të inkurajuar vaksinimin dhe për të lehtësuar qasjen në vaksinim, në Aeroportin e Prishtinës dhe në pikat kryesore kufitare tokësore do të vendosen ekipet mobile të vaksinimit.
Tash që ka filluar vaksinimi edhe i qytetarëve mbi 12 vjeç e tutje, nga kërkesa për të poseduar njërën nga dëshmitë e lartpërmendura, do të lirohen personat nën 12-vjeç, personat me dëshmi mjekësore.
Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se 48 orë.
Për të evituar mbingarkesën spitalor, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR.
Dëshmia e vaksinimit të plotë po ashtu do të kërkohet edhe nga personat që përdorin transportin publik.
Mbajtja e maskës vazhdon të jetë obligative. Sipas masave, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Ndërkaq, as orari i gastronomisë nuk ka ndryshuar, ky sektor lejohet të punojë deri në ora 23:00, ndërkaq muzika ndalohet pas orës 21:30.
Sa i përket arsimit, të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të punojnë me prani fizike dhe orar të rregullt, ndërkaq niveli universitar do të lejohet të punojë me 50 për qind të kapaciteteve dhe studentëve do t’u kërkohet që të paraqesin dëshmitë e vaksinimit apo testeve negative, nëse duan të hyjnë në objektet shkollore.
Klubet e natës dhe organizimi i ahengjeve vazhdon të jetë i ndaluar, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Këto masa janë miratuar nga Qeveria e Kosovës më 06 Dhjetor 2021.