Jeton Shaqiri: “Shtyrja e mësimit masë e përkohshme”


Një tjetër valë mbyllje e shkollave do të ishte katastrofike për Maqedoninë e Veriut. Kështu paralajmëron përfaqësuesja e UNICEF në Maqedoninë e Veriut Patrizia Di Giovanni, e cila përkujton se Maqedonia e Veriut edhe ashtu ishte në krizë të arsimit, me më shumë se gjysmën e 15 vjeçarëve që dështonin në kriteret bazë të aftësisë së leximit dhe matematikës.

UNICEF MAQEDONI
“Sa herë që është e mundur, duhet t’i shmangeni mbylljes së shkollave në nivel nacional. Kur shkalla e infeksionit KOVID-19 rritet në komunitet dhe kur masat e rrepta të shëndetit publik bëhen domosdoshmëri, shkollat ​​duhet të mbyllen të fundit dhe duhet të hapen të parat. Çfarë flet për prioritetet tona, nëse shkollat ​​mbyllen dhe vendet e tjera publike mbeten të hapura?”

Por Ministri i Arsimit Jeton Shaqiri thotë se nuk bëhet fjalë për mbyllje të shkollave, por për shtyrje të përkohshme të fillimit të mësimit. Këto 8 ditë të humbura sipas tij do të kompensohen.

JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT
“Nuk është një vendim për mbylljen e shkollave, është një vendim për shtyrjen e pushimit dhe fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, më 1 shkurt me prezencë fizike. Do të thotë ne vetëm kemi shtyrë fillimin e gjysmëvjetorit të dytë dhe kemi sjellë vendim që mësimi të jetë me prezencë fizike por përsëri e them se duhet edhe një herë atëherë të analizojmë të dhënat”.

Ai e arsyeton vendimin e Qeverisë me numrat e lartë të të infektuarve me COVID19 që nga paraqitja e variantit Omicron në vend, por edhe me hovin që ka marrë gripi sezonal.

JETON SHAQIRI, MINISTËR I ARSIMIT
“U gjykua se në periudhën e ardhshme kohore duke iu përmbajtur masave dhe protokoleve, duke filluar nga fëmijët në mësimin fillor, të mesëm e kështu me radhë, arsimtarët, duke iu përmbajtur protokoleve ky numër të ketë një rënie”.

Tani për tani nuk mendohet për ndryshim të protokolleve antiCovid nëpër shkolla, por Ministri thotë se kjo çështje do të shqyrtohet varësisht nga situata epidemiologjike. Sipas komunikatës së UNICEF, Maqedonia e Veriut ka mbyllur shkollat për gjithsej 54 javë që nga fillimi i pandemisë, që është shumë më gjatë se mesatarja evropiane prej 24 javëve.