Kërkohet dorëheqja e Dritan Abazoviqit


Jakov Milatoviq dhe Milojko Spajiq, ministra në qeverinë aktuale malazeze, i bënë thirrje zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq të japë dorëheqje pasi propozoi formimin e një qeverie të pakicës, ndërsa koalicioni “E bardha në të Zezë”, i udhëhequr nga Abazoviq, paraqiti një mocion mosbesimi në parlament kundër Qeverisë së udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq.

“Duke pasur parasysh që zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq paraqiti një iniciativë për rrëzimin e qeverisë me përgjegjësit e pengesës morale dhe ekonomike të Malit të Zi, për të cilën ai vetë foli pafundësisht, ne besojmë se është etike të japë dorëheqje nga qeveria që po kërkon ta përmbys”, ka shkruar ai.
Jakov Milatoviq, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka prezantuar një deklaratë të nënshkruar prej “ministrave në Qeverinë e Malit të Zi”.

Dritan Abazovic njoftoi së fundmi se do të propozojë formimin e një qeverie të pakicës, së cilës do t’i paraprijë një votë mosbesimi ndaj qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.
Ndryshe, kryeministri malazez e quajti qeverinë e pakicës një mashtrim dhe tha se e vetmja rrugëdalje nga kriza për Malin e Zi ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.