Gjukanoviq mbështet nismën e Dritan Abazoviqit për ndryshimin e Qeverisë


Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka njoftuar se do të mbështesë çdo nismë që do të çojë në largimin e Qeverisë aktuale të shtetit.

“DPS-ja mirëpret gatishmërinë e një pjese të shumicës parlamentare për të propozuar zgjidhje me përfaqësues të disa partive të pakicave, që do të çonin në zhbllokimin e institucioneve dhe përshpejtimin e procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian”, tha partia e presidentit të Malit të Zi.

Kështu u përgjigj DPS-ja ndaj nismës për të formuar një qeveri të pakicës, si një model për tejkalimin e krizës politike në Mal të Zi. Këtë propozim e ka prezantuar Lëvizja Qytetare Ura, që është në pushtet, dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS.

Këto dy subjekte, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kishin garuar në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”. Në ato zgjedhje, DPS-ja u rrëzua nga pushteti pas tre dekadash.

Gjatë prezantimit të propozimit për qeveri të pakicës, Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS thanë më 17 janar se në një qeveri të tillë nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq ka thënë se ky model është një zgjidhje e mundshme, por të cilën nuk do t’ia imponojnë askujt.

“Është koha që të zhbllokohet rruga për në Bashkimin Evropian. Nëse kjo situatë nuk mund të zgjidhet, zgjedhjet mbeten zgjidhje e qartë”, tha Abazoviq më 17 janar.

Për të iniciuar shkarkimin e Qeverisë në Kuvend nevojiten 27 vota, ndërsa për largimin e saj duhet një shumicë prej 41 deputetësh.

Me mbështetjen e DPS-së, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq kundërshtoi ashpër paralajmërimin për formimin e një qeverie të pakicës, duke e cilësuar si “mashtrim” këtë nismë.

Qeveria e Krivokapiqit, e cila ka një votë më shumë se sa duhet në Parlament, ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik.

Megjithatë, Fronti Demokratik nuk ka nisur asnjëherë një nismë formale për të shkarkuar Qeverinë, e cila nuk ka pasur mbështetjen e kësaj partie që nga mesi i vitit të kaluar.

Ndër të tjera, DF-ja nuk është pajtuar me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Parlamentin e Malit të Zi, si dhe me shkarkimin e ministrit Vlladimir Lleposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq, që mban postin e zëvendëskryeministrit.

Që nga formimi i kësaj qeverie, ajo ka qenë cak i kritikave dhe pengesave që vijnë nga strukturat e shumicës qeverisëse, në radhë të parë nga Fronti Demokratik, që vazhdimisht ka kërkuar, por asnjëherë nuk i ka zyrtarizuar kërkesën për zgjedhjen e një qeverie të re.

Fronti Demokratik është deklaruar për mundësinë e krijimit të qeverisë së pakicës, duke thënë se “nuk janë për rrëzimin e Qeverisë aktuale, por për zgjedhjen e një të reje”. Sipas kësaj partie, ata duan një ekzekutiv që do të pasqyronte vullnetin elektoral të qytetarëve, që e kanë shprehur në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020.

Kurse partitë e komuniteteve e mbështesin propozimin e Lëvizjes Ura, duke e cilësuar si mundësi reale dhe optimale për të dalë nga kriza aktuale politike, u tha në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga liderët e Partisë Boshnjake, Listës Shqiptare dhe Koalicionit Shqiptar.