Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka bërë të ditur se të gjithë pasagjerët e autobusit që u aksidentua sot në Bullgari janë mirë dhe se janë transferuar në një autobus tjetër.
Në përjashtim të shoferit që ka pësuar lëndime të lehta, askush tjetër nuk ka është lënduar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinion publik se të gjithë qytetarët e Kosovës që ishin brenda autobusit të vetëaksidentuar në mëngjesin e sotëm në Kystendil të Bullgarisë, janë transferuar nga kompania e njëjtë e autobusit në Kosovë dhe se nuk kanë pësuar lëndime trupore, me përjashtim të shoferit të autobusit që ka marrë lëndime të lehta”, thuhet në komunikatë.
Tutje, nga MPJD-ja thonë se me të pranuar informacionin, përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Sofje, kanë komunikuar me autoritetet përkatëse, ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm konsullor dhe gjithashtu zyrtari i ambasadës ka dalur në vendin e ngjarjes për të ofruar asistencën e nevojshme.
“Sipas të dhënave nga terreni deri tek aksidenti kishte ardhur pasi që autobusi i cili operonte në linjën Prishtinë – Stamboll duke kaluar në rrugën Kystendil – Gyeshevo kishte devijuar rrugën për shkak të një druri në rrugë që kishte rënë si pasojë e erërave të forta”, thuhet në komunikatë.