Miu Magawa i cili u bë i njohur kur edhe u nderua me medalje për trimëri dhe largimin e suksesshëm të minave, ka ngordhur në moshën 9 vjeçare.
Karriera prej deminerit, Magawit i zgjati pesë vite, e gjatë asaj kohe nuhati dhe gjeti mbi 100 mina dhe lëndë tjera shpërthyese në Kamboxhia.
Ai njëherit është miu më i suksesshëm, i cili për gjetjen e minave u trajnua nga organizata humanitare belge Apopo.
Magawa gjatë karrierës pastroi mbi 140 mijë metra katrorë – ekuivalent me 20 fusha të futbollit.
Ai peshonte 1,2 kilogramë dhe ishte 70 centimetra i gjatë – mjaftueshëm që të mos aktivizojë minat mbi të cilat kalonte. Për të pastruar një hapësirë sa fusha e tenisit i janë dashur vetëm 20 minuta “kërkime”, derisa një njeriu me detektor të metaleve i duhen deri në katër ditë.