Kurti paraqet para deputetëve rezolutën kundër referendumit serb: Askush askujt nuk po ia cenon të drejtën e votës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme lidhur me referendumin serb në Kosovë ka thënë se votimi i komunitetit serb në Kosovë, mund të bëhet vetëm përmes zyrës ndërlidhëse, në të kundërtën do të ishte shkelje e Kushtetutës.

Kurti ka kërkuar nga deputetët që të votojnë një rezolutë të Kuvendit të Kosovës në lidhje me këtë referendum, shkruan Reporteri.net.

Kryeministri Kurti ka thënë se përmes kësaj rezolute, Kuvendi synon që si përfaqësues i qytetarëve të shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit serb në Kosovë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Kushtetua jonë përcakton se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit shteti ynë përcakton ai një shtet i pavarur dhe sovran, që respekton parimet e barazisë para ligjit dhe garanton barazitë dhe liritë e njeriut që vlejnë për të gjithë qytetarët. Votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia i garanton komunitetit serb nën ombrellën e normave juridike tonat, duke respektuar normat për votim jashtë vendit. Kjo nuk është diçka e paprecedent, e thotë edhe praktika evropiane. Dua të bëj të qartë se askush askujt nuk po i cenon të drejtën e votës. Referendumi për votim mund të bëhet në zyrën ndërlidhëse. Strukturat ilegale të Serbisë.

Serbët e Kosovës në këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit por brenda vendit, e problemi nis nga kushtetuta e Serbisë që Kosovën e konsideron si pjesë të saj. Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të trajtohet si i tillë, organizimi i votimit jashtë zyrës ndërlidhëse është kundër kushtetutës së Kosovës. Për ta bërë të qartë që një qëndrim i tillë nuk është vetëm i qeverisë por edhe i komplet spektrit politik, ju ftoj ta votoni një rezolutë”, ka thënë Kurti.

Rezoluta ka disa pika të cilat i ka cekur Kurti:

Kuvendi shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit cenon sovranitetin dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

Kuvendi kërkon nga Qeveria që të ndërmarrin të gjitha veprimet për të mos lejuar cënimin e integritetit dhe sovranitetit.

Kuvendi synon përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Kuvendi afirmon të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi për ushtrimin e të drejtës së votës.

Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë si dhe përfshirja e strukturave paralele, përbën shkelje të sovranitetit.

Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të Serbisë për të instrumentalizuar serbët e Kosovës.

Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e stabilitetit dhe ligjit.

Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit, avancimit të demokracisë dhe agjendës demokratike.

/Reporteri.net