Ditëve të fundit shënohet rritje e kontrolleve ambulantore në Spitalin Klinik të Tetovës për sa i përket pacientëve që kanë simptoma të Covid-19. Një kohë të gjatë në Tetovë ishte i vogël numri i kontrolleve ambulantore, por ditëve të fundit janë rritur dukshëm kontrollet ambulantore ndaj pacientëve që kanë simptome me Covid-19. Por, nga Spitali Klinik i Tetovës vlerësojnë se gjendja nuk është kritike sepse vetëm pesë për qind e numrit të përgjithshëm të kontrolleve ambulantore dalin pozitiv me Covid-19.
“Pas një periudhe relativisht të qetë në repartin infektiv të Spitalit Klinik të Tetovës ka filluar të rritet numri i pacientëve që paraqiten në ambulantën infektive. Këtyre ditëve, numri i kontrolleve brenda 24 orëve është rreth 60. Kryesisht kanë simptome të gripozës, e cila e bën klinikisht më të vështirë që të dallohet ata që janë me grip dhe me Covid-19. Për momentin pesë për qind e tyre janë ata të cilët dalin pozitiv, ndërsa të tjerët janë me simptome të gripit”, deklaroi Hasan Iljazi, mjek në Spitalin Klinik të Tetovës. Aktualisht në Spitalin Klinik të Tetovës vetëm një pacient është i shtrirë tek i cili është detektuar virusi korona. Një tjetër është i shtrirë por nuk ka rezultuar pozitiv dhe vetëm ka komplikime shëndetësore në mushkëri.
“Në repart për momentin kemi dy pacient të shtrirë në Repartin Infektiv në Spitalin Klinik të Tetovës, ku njëri prej tyre është me Covid-19, ndërsa tjetri ka komplikacione në mushkëri. Dita-ditës, numri i pacientëve po rritet duke arritur shifrën 60 pacient brenda 24 orëv. Diagnostifikimi i tyre bëhet përmes protokolleve diagnostike, aspekti klinik, analizat laboratorike, rentgeni i mushkërive, pastaj dërgohet për analizë për ata pacient që dyshojnë se janë me Covid-19”, tha Hasan Iljazi, mjek në Spitalin Klinik të Tetovës.
Për momentin në nivel të shtetit ka rritje të numrit të pacientëve me Covid-19 dhe omicron, në Tetovë nuk ka asnjë me variantin Omicron. Poashtu, situatë e qetë paraqitet edhe tek fëmijët sepse deri më tani të gjithë fëmijët që sillen për kontroll kanë vetëm grip sezonal dhe jo virusin korona apo llojet tjera të Covid-19.
“Duke e marrë parasysh se tash është sezoni i gripit, ka fëmijë që paraqiten me simptoma të gripit por deri më tani Covid-19 nuk është detektuar tek ndonjë fëmijë. Pra, as variantet e reja nuk janë detektuar tek fëmijët por kemi vetëm grip sezonal”, theksoi Hasan Iljazi, mjek në Spitalin Klinik të Tetovës. Institucionet vendore ende nuk kanë sjellë vendim se si do të fillojë gjysmëvjetori i dytë nëpër shkollat fillore dhe të mesme. Poashtu ende nuk ka ndonjë vendim nga ana e komisionit për sëmundje infektive për masa të reja kufizuese. (koha.mk)