“Nuk shohim asnjë përpjekje nga YouTube për të zbatuar politika, në drejtim të zgjidhjes së problemit me dezinformatat, thuhet në letrën e hapur të më shumë se 80 organizatave për kontrollin e fakteve, në mesin e të cilave edhe Vërtetmatësi, drejtuar YouTube. Përkundrazi, YouTube lejon që platforma të përdoret si armë nga aktorë të paskrupullt për të manipuluar dhe shfrytëzuar të tjerët, si dhe për të organizuar dhe mbledhur fonde, thuhet në letër, e cila po qarkullon sot në mbarë botën”.
Kanë kaluar gati dy vjet që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Bota ka dëshmuar edhe një herë se sa shkatërrues mund të jetë dezinformimi për harmoninë sociale, demokracinë dhe shëndetin publik. Shumë jetë u shkatërruan dhe shumë njerëz humbën të dashurit e tyre si pasojë e dezinformatave. Si rrjet ndërkombëtar i organizatave për kontrollin e fakteve, ndjekim se si përhapen gënjeshtrat në internet dhe shohim çdo ditë se YouTube është një nga kanalet kryesore të dezinformimit online në mbarë botën. Kjo është diçka që ngre shqetësime të rëndësishme në komunitetin tonë global për kontrollin e fakteve.
Ajo që ne nuk shohim është përpjekja nga YouTube për të zbatuar politika, në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi. Përkundrazi, YouTube lejon që platforma të përdoret si armë nga palët e paskrupullta të interesit për të manipuluar dhe shfrytëzuar të tjerët, si dhe për të organizuar dhe mbledhur fonde. Masat aktuale po rezultojnë të pamjaftueshme. Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni veprime efektive kundër dezinformatave dhe të krijoni udhërrëfyes për ndërhyrjet mbi politikat dhe prodhimet, me qëllim për të përmirësuar ekosistemin e informacionit – dhe këtë ta bëni në bashkëpunim me organizata të pavarura, jopartiake, organizata botërore për kontrollin e fakteve.
Vitin e fundit kemi parë grupe konspirative që përparojnë dhe bashkëpunojnë përtej kufijve, duke përfshirë edhe një lëvizje ndërkombëtare që filloi në Gjermani, arriti në Spanjë dhe u përhap në të gjithë Amerikën Latine, dhe gjithçka ndodhi në YouTube. Ndërkohë, miliona përdorues të tjerë shikuan video në greqisht dhe arabisht duke i inkurajuar ata të bojkotojnë vaksinat ose të trajtojnë Covid-19 me ilaçe të rrejshme. Përveç Covid-19, ekzistojnë video në YouTube që kanë promovuar prej vitesh ilaçe të rreme kundër kancerit.
Në Brazil, platforma përdoret për të nxitur gjuhën e urrejtjes kundër grupeve të dëmtuara, duke arritur në dhjetëra mijëra përdorues. Edhe procesi zgjedhor nuk është i sigurt. Në Filipine, përmbajtje të rreme me mbi 2 milionë shikime që mohojnë abuzimet e të drejtave të njeriut dhe korrupsionin gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, përdoren për të dëmtuar imazhin dhe reputacionin e djalit të diktatorit të ndjerë, një prej kandidatëve në zgjedhjet e 2022. Në Tajvan, zgjedhjet e fundit u dëmtuan nga akuza të pabaza për mashtrim. E gjithë bota dëshmoi pasojat e dezinformatave kur një turmë e dhunshme sulmoi selinë e Kongresit të SHBA vitin e kaluar. Në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe një ditë më pas, videot në YouTube që mbështesnin narrativën për “mashtrim” u shikuan më shumë se 33 milionë herë.
Shembujt nuk mund të numërohen. Shumë nga ato video dhe kanale mbeten të disponueshme edhe sot, dhe të gjitha kaluan pa u vënë re nga politikat e YouTube, veçanërisht në vendet jo anglishtfolëse dhe në vendet e jugut global. Na vjen mirë që kompania kohët e fundit ka ndërmarrë disa hapa në përpjekje për të zgjidhur këtë problem, por bazuar në atë që shohim çdo ditë në platformë, besojmë se këto përpjekje nuk funksionojnë. YouTube nuk krijon të dhëna cilësore për të vërtetuar efektivitetin e saj.
Platforma e kompanisë suaj deri më tani ka formësuar diskutimet për dezinformatat, si dikotomi e rreme e fshirjes ose mosfshirjes së përmbajtjes. Duke vepruar kështu, YouTube shmang mundësinë për të bërë atë që është vërtetuar se funksionon: përvoja jonë si kontrollues faktesh dhe prova akademike na tregojnë se postimi i fakteve të verifikuara është më efektive sesa fshirja e përmbajtjeve. Kjo, gjithashtu ruan lirinë e shprehjes, ndërkohë që njeh nevojën për informacion shtesë për të zbutur rreziqet e dëmtimit të jetës, shëndetit, sigurisë dhe proceseve demokratike. Meqenëse shumica dërrmuese e shikimeve në YouTube vijnë nga algoritmi i saj i rekomandimit, platforma, duhet gjithashtu të kujdeset që të mos promovojë në mënyrë aktive dezinformata për përdoruesit e saj ose të rekomandojë përmbajtje që vijnë nga kanale jo të besueshme.
Duke pasur parasysh këtë, propozojmë disa zgjidhje që do të bënin një ndryshim të madh në reduktimin e përhapjeve së dezinformatave në YouTube.
Platforma të përkushtohet për transparencë më të përforcuar për dezinformatat që gjenden në të: YouTube duhet të mbështesë kërkime të pavarura për origjinën e fushatave të ndryshme të dezinformimit, shtrirjen dhe ndikimin e tyre, si dhe mënyrat më efektive për të zbuluar informacionet e rreme. Gjithashtu, duhet të publikojë plotësisht politikën e saj për moderim kur bëhet fjalë për dezinformatat, duke përfshirë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale dhe të dhënat të cilat ushqejnë vetë inteligjencën artificiale.
Përveç largimit të përmbajtjeve për pajtueshmërinë ligjore, YouTube duhet të përqendrohet në ofrimin e kontekstit dhe ofrimin e përmbajtjeve të kontrolluara, qartë të treguara në video ose si përmbajtje shtesë e videos. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes bashkëpunimit kuptimplotë dhe të strukturuar, marrjes së përgjegjësisë, si dhe investimit sistematik në përpjekjet e pavarura për kontrollin e fakteve në mbarë botën që punojnë për të zgjidhur këto probleme.
Marrja e veprimeve kundër shkelësve të vazhdueshëm që prodhojnë përmbajtje që vlerësohen vazhdimisht si dezinformatë, veçanërisht atyre që fitojnë para nga ajo përmbajtje brenda dhe jashtë platformës. Kjo mund të arrihet duke parandaluar algoritmet e tyre të rekomandimit të promovojnë përmbajtje nga burime të tilla dezinformimi.
Zgjerimi i përpjekjeve aktuale dhe të ardhshme kundër shpërndarjes së dezinformatave në gjuhë të tjera, përveç anglishtes dhe ofrimin e të dhënave specifike për vendin dhe gjuhën, si dhe shërbime për transkriptim, që do të funksionojnë në çdo gjuhë.
Shpresojmë që do të mendoni për zbatimin e mundshëm të këtyre ideve për të mirën publike dhe ta bëni YouTube një platformë, e cila bën vërtet të pamundurën për të parandaluar përdorimin e dezinformatave si armë kundër përdoruesve tuaj dhe shoqërisë në tërësi. Jemi gati dhe mund ta ndihmojmë YouTube. Duam të takohemi me ju për të diskutuar këto çështje, për të gjetur mënyra për të përmirësuar bashkëpunimin tonë dhe presim me padurim përgjigjen tuaj për këtë ofertë.