Murgu dhe pr*ostituta – Një rrëfim brilant nga Paulo Coelho


Një murg jetonte pranë tempullit të Shivas. Në shtëpinë përballë jetonte një pr*ostitutë. Duke parë numrin e madh të burrave që e vizitonin, murgu vendosi t’i flasë.

“Ti je mëkatare e madhe”, i tha ai. “Zbulon mungesën e respektit për Zotin përditë dhe përnatë. A nuk ndalesh ndonjëherë, e të mendosh se çfarë do të ndodhë me ty pas vdekjes?”
Gruaja e gjorë u trondit shumë nga ajo që i tha murgu. Ajo iu lut Zotit për falje. I kërkoi gjithashtu Perëndisë që t’i gjente një tjetër mënyrë për të fituar bukën e gojës.

Por nuk mund të gjente punë dhe, pasi qëndroi e uritur për një javë, iu rikthye pro*stitucionit.
Sa herë që i jepte trupin e saj një të huaji, i lutej Zotit që ta falte.
I mërzitur se këshilla e tij nuk kish patur efekt, murgu mendoi me vete: “Që sot e tutje, do numëroj burrat që hyjnë në atë shtëpi, deri kur mëkatarja të vdesë”.

Dhe nga ai moment, ai nuk bëri asgjë, por vetëm pa ata që hynin e dilnin nga shtëpia e pro*stitutës, dhe për çdo burrë që hynte, i shtonte një gur pirgut të gurëve që kish në krah.
Pas pak kohësh, murgu i foli sërish prostitutës dhe i tha: “E sheh atë pirg me gurë? Secili gur përfaqëson një mëkat që ke bërë, pavarësisht paralajmërimeve të mia. Po ta them edhe një herë: mos mëkato më!”

Duke parë si grumbulloheshin mëkatet e saj, gruaja nisi të dridhej. Me t’u kthyer në shtëpi, nisi të qajë dhe t’i lutet Zotit: “O Zot, kur do të më çlirojë mëshira jote nga kjo jetë e shthurur?”
Lutja e saj u dëgjua. Po atë ditë, ëngjëlli i vdekjes erdhi në shtëpinë e saj dhe e mori me vete. Me urdhër të Perëndisë, ëngjëlli kaloi rrugën dhe mori edhe murgun.

Shpirti i prostitutës shkoi drejt e në Parajsë, ndërsa djajtë e morën murgun me vete në Ferr. Ata u shkëmbyen rrugës dhe kur murgu pa atë që po ndodhte, thirri: “A është kjo drejtësia jote, Zot? E kalova gjithë jetën time me devocion dhe varfëri, dhe tani më shpie në Ferr, ndërsa ajo pro*stitutë, që jetoi në mëkat, po shkon në Parajsë?”
Duke dëgjuar këtë, një nga engjëjt u përgjigj:

“Ti mendove se dashuria e Zotit nënkuptonte të rrije e të gjykoje sjelljen e fqinjes. Ndërkohë që ti mbushje zemrën tënde me papastërtinë e një tjetër mëkati, kjo grua lutej natë e ditë. Shpirti i saj është kaq i lehtë pas gjithë lotëve që ka derdhur, saqë ne mund ta mbajmë kollaj për në Parajsë. Shpirti yt është kaq i rënduar nga gurët, saqë nuk mund të ngrihet”. – Paulo Coelho
Në shqip nga bota.al