Ja sa para për muaj fitonte Buçkovski për angazhimin e tij me Bullgarinë


Qeveria i tha lamtumirë Vllado Buçkovskit, si i dërguari i saj special në Sofje. Në të ardhmen bisedimet mes dy vendeve do të zhvillohen në një nivel më të lartë dhe sipas Buçkovskit, ai ka bërë gjithçka që të mos ndalet dialogu mes dy vendeve.
Ndonëse shtetet nuk i afruan qëndrimet, Qeveria pretendon se Buçkovski ka kontribuar në mbajtjen e marrëdhënieve miqësore në kohë sfidash, dhe të pyetur nga mediat treguan se sa i ka kushtuar shtetit angazhimi i tij.

“Ishte nënshkruar marrëveshje për angazhimin e tij që kishte të bëjë me zbatimin dhe koordinimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, monitorimin e zbatimit të Planit të Veprimit dhe nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha nivelet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Për këtë angazhim i është paguar pagesë mujore prej 60.000 denarëve”, njoftojnë nga Qeveria.

Edhe nga Shkupi edhe nga Sofja kanë njoftuar se bisedimet do të zhvillohen mes dy ministrive të jashtme, si dhe drejtpërdrejt ndërmjet pesë komisioneve të reja që pritet të krijohen me kërkesë të kryeministrit të ri bullgar Kirill Petkov.

Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup ka informuar se negociatat në nivel teknik aktualisht udhëhiqen nga grupet e punës ndërsa intensifikimi i dialogut pritet pas vizitës së Petkovit në Shkup, e cila është caktuar për të martën. Zëvendës- kryeministri i parë Artan Grubi, nga ana tjetër, zbuloi se një seancë e përbashkët e qeverive të dy vendeve mund të mbahet këtë muaj dhe është i bindur për zgjidhje të shpejtë.

“Jam i bindur se do të gjejmë një zgjidhje në gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe presim me padurim vizitën e kryeministrit të ri të Bullgarisë si dhe mbajtjen e një seance të përbashkët qeveritare, gjithashtu gjatë këtij muaj, me fqinjin tonë në Sofje”, tha Artan Grubi- zëvendës- kryeministër i parë.

Edhe Sofja zyrtare pret intensifikimin e bisedimeve ndërsa nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova, në një intervistë për Radion Kombëtare Bullgare tha se temë e bisedimeve mund të jetë ndryshimi i mundshëm i autorizimeve dhe kompetencave të komisionit të përzier historik.