Një autobus ka rrëshqitur dhe ka dalë nga rruga si pasojë e motit me borë dhe ngrica në Mirash të Ferizajt.
Zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Kanun Veseli, ka thënë për KOHËN se nga ky vetaksident, të lënduar kanë mbetur tre persona.
Të njëjtit sipas Veselit, janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, derisa aksidenti thotë se ka ndodhur rreth orës 18:50
“Një autobus i udhëtarëve me targa vendore ka shkaktuar vetaksident (ka rrëshqitur) me këtë rast janë lënduar tre persona. Njësitet e Policisë janë në vendin e ngjarjes, po e hetojnë rastin”, ka deklaruar Veseli.
Pas situatës së krijuar nëpër rrugët e Kosovës, për shkak të borës, Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët, posaçërisht te vozitësit e automjeteve që të bëjnë kujdes në vozitje gjatë kësaj kohe me borë e ngrica.
Madje në njoftimin e saj, Policia ka paralajmëruar se do të ndërmerr masa për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që do t’i shkelin rregullat e trafikut.