Një borxh i pakthyer ishte shkaku që çoi në të shtëna me armë zjarri ditën e sotme në Tetovë, konkretisht para Spitalit Klinik të Tetovës. Sipas të dhënave të SPB-së, nga ngjarja e ditës së sotme nuk ka të lënduar, ekipet e policisë janë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rastit.
Sot në ora 9 e 45 para spitalit Klinik të Tetovës në rrugën “29 Nëntori”, 58-vjeçari B.I. nga Tetova ka takuar rastësisht 52-vjeçarin M.I. nga fshati Xhepçisht i Tetovës me të cilin kanë pasur mosmarrëveshje për borxh të pakthyer dhe sipas të dhënave të policisë këto në mes veti së pari kanë filluar një zënkë verbale ndërsa M.I. e ka sulmuar fizikisht personin B.I. i cili në moment e ka nxjerrë armën dhe ka shtënë një plumb.
Nga e shtëna është dëmtuar vetëm një veturë e parkuar. Ekipet e SPB-së kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ku e kanë arrestuar personin B.I. i cili është dërguar dhe mbajtur në stacionin policor dhe i është marrë arma. Ndërsa edhe personi M.I. është marrë në pyetje në stacionin policor.
Ekipet e policisë janë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rastit. /Blerona Jakupi/