Semafori në Hasanbeg, përplasje mes Qytetit të shkupit dhe komunës së Haraçinës


Derisa nga Komuna e Haraçinës pohojnë se kanë dërguar kërkesë tek Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Gazibabës, lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për semaforët që ndodhen në Hasanbeg, nga Qyteti i Shkupit mohojnë të kenë pranuar një kërkesë të tillë, raporton SHENJA.

Qyteti i Shkupit
“Deri në momentin që po flasim, Qyteti i Shkupit nuk ka pranuar kërkesë zyrtare në formë të shkruar në lidhje me këtë çështje.”

Bëhet fjalë për semaforët e vendosur në Lagjen Hasanbeg, për të cilët banorët thonë se kanë shkaktuar kaos në trafik, pasi të njëjtat nuk janë vendosur në mënyrën e duhur. Qytetarët thonë se rruga e Haraçinës është ajo që ka pasur përparësi në të kaluarën pasi është një rrugë rajonale, ndërkaq me vendosjen e semaforëve këto rregulla kanë ndryshuar dhe ajo që ka përparësi tani është rruga lokale. Rruga në fjalë lidh qytetin e Kumanovës me Kryeqytetin dhe kjo është arsyeja se përse është kaq shumë e frekuentuar.

Nga komuna e Haraçinës dje thanë se kanë bërë kërkesë tek Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Gazibabës për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, dhe se këto institucione i kanë siguruar ata që në afat shumë të shkurtër në atë vend do të vendoset një rrethrrotullim.

Kërkuam qëndrim edhe nga Komuna e Gazibabës, megjithatë deri në këto momente akoma nuk kemi marrë përgjigje.

Ajnur Bafqari /SHENJA/